Shqipëria

‘Hakmarrja’ e Alibeajt për të mos lejuar zgjedhjen e Salianjit në krye të Grupit Parlamentar demokrat


Vendimi i Enkelejd Alibeajt për të përjashtuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike katër deputetë – Belind Këlliçin, Tritan Shehun, Agron Shehajn dhe Oerd Bylykbashin – mund të jetë edhe shënjimi i “hakmarrjeje” të brendshme në rangun e forcës së djathtë politike.

Kështu mëson Albanian Post, ku sipas burimeve pranë selisë blu, ka pasur një shumicë brenda grupit, e cila e kërkuar zëvendësimin e Alibeajt në krye të tij me një tjetër figurë, atë të Ervin Salianjit.

Pikërisht kjo gjë, mund të ketë vënë në lëvizje Alibeajn, për të ndërmarrë hapin, nën arsyetimin e një afati që ishte vendosur një vit më parë, më 10 janar 2023, nga Kryesia e Partisë Demokratike dhe është konfirmuar nga Këshilli Kombëtar dhe më tej nga Grupi Parlamentar, në mbledhjen e datës 15 janar 2022.

Vendimi ishte i tillë, që të katër deputetëve, do t’u jepet afat kohor një-vjeçar, për t’u distancuar nga ngjarjet e ndodhura më 8 janar 2022, gjatë një proteste të grupimit Berisha brenda oborrit të selisë së demokratëve, kur edhe mbështetësit e Berishës mësynë godinën.

Më parë nga grupi, pikërisht mbi rreshtimin pro këtyre akteve, ishin përjashtuar nga Grupi Parlamentar deputetët Albana Vokshi, Edmond Spaho, Flamur Noka dhe Luan Baçi.

Të gjitha këto zhvillime ndërkaq, vijnë në një periudhë kur pas një jave, pritet edhe mbajtja e gjyqit për drejtimin e PD-së, ku grupi Berisha përballet pikërisht me Alibeajn.

Ndarja përfundimtare e PD-së në dy kampe ishte lajmëruar prej kohësh, por mori formë të prerë me largimin e Lulzim Bashës si kryetar i forcës politike.

Kjo gjë, i hapi rrugë një procesi të zhvilluar nga Berisha, për zgjedhjen fillimit të strukturave e më pas edhe të kryetarit, garë të cilën ai vetë e fitoi.

Grupimi i Alibeajt gjithsesi nuk e njohu garën dhe e quajti fiktive atë, duke i dalë kundër edhe fitores së Berishës.

Pavarësisht këtij fakti, ishte Gjykata e Tiranës, ajo e cila fillimisht i dha të drejtë Berishës dhe ndryshimeve statutore që ai kreu në një Kuvend të mbajtur më 11 dhjetor 2021.

Alibeaj e apeloi çështjen dhe ajo për disa herë është shtyrë, ku seanca e radhës është caktuar më 17 janar 2023.

Mirëpo, lufta politike e brendshme, e vijueshme, duket se ka nisur tashmë dhe po merret seriozisht nga të dy palët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore