Lajme

Hagë: Konferenca e radhës për Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin


Ish Presidenti i Kosovës Thaçi, ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kreun e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe kryetari i këshillit kombëtar të partisë Nisma Socialdemokrate, (NISMA), Jakup Krasniqi.

Konferencë e radhës për ecurinë e çështjes për ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, do të mbahet këtë të premte me fillim nga ora 14:30.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një njoftimi në faqen zyrtare.

“Për të përcjellë seancat nga galeria për publikun ose qendra për median duhet të regjistroheni paraprakisht”.

“Seanca mund të përcillet edhe përmes internetit, me një vonesë, dhe në këtë rast nuk nevojitet regjistrimi”, shpjegohen detaje rreth mënyrës së përcjelljes së transmetimit të kësaj seance, për medie.

Ish Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në Hagë

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit

Ish Presidenti i Kosovës Hahim Thaçi akuzohet së bashku me ish-kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kreun e grupit parlamentar të partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe kryetarin e këshillit kombëtar të partisë Nisma Socialdemokrate, (NISMA), Jakup Krasniqi.

Aktakuza prej 68 faqesh përmban dhjetë akuza dhe rendit veprat e tyre të pretenduara si “krime lufte për arrestim dhe ndalimi të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, dhe krime kundër njerëzimit për burgosje, veprime të tjera çnjerëzore, tortura, vrasje, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje”.

Ajo thotë se krimet u kryen “të paktën nga marsi 1998 deri në shtator 1999”. Të katër burrat ishin figura të larta në UÇK-së gjatë luftës dhe Thaçi ishte lideri politik i organizatës guerile.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen si përgjegjës për krimet e kryera nga ata vetë dhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së në pjesë të ndryshme të Kosovës, por edhe në Shqipërinë e veriut, “kundër qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime”.

Shumica e krimeve janë kryer në qendrat e paraburgimit në 17 komuna të Kosovës dhe në Kukës dhe Has në Shqipëri.

Të katër burrat akuzohen se kanë qenë pjesë e një sipërmarrje të përbashkët kriminale dhe kanë ndarë “qëllimin e përbashkët për të fituar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën”, duke përdorur mjete përfshirë “kanosje, keqtrajtim, ushtrim dhune, si edhe duke larguar ata që konsideroheshin si kundërshtarë”.

Kundërshtarët përfshinin bashkëpunëtorë të dyshuar me institucionet jugosllave dhe forcat e armatosura të Sllobodan Millosheviçit, njerëz të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës rivale dhe “persona të etnive serbe, rome dhe të etnive të tjera”.

Aktakuza më tej pretendon se katër ish-udhëheqësit e UÇK-së të kthyer në politikanë kishin “përgjegjësi superiore”, pasi ata ishin të vetëdijshëm për krimet e përmendura në aktakuzë, dhe i nxitën ato, si edhe ishin të përfshirë në kryerjen e tyre.

Thaçi dha dorëheqjen si president të enjten dhe u dërgua në Hagë për t’u përballur me akuzat. Dorëheqja e tij pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nxiti mesazhe solidariteti për luftën e UÇK-së nga udhëheqësit politikë etnikë shqiptarë në të gjitha anët e spektrit politik në Kosovë dhe Shqipëri.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së gjithashtu ka kërcënuar se do të mbajë një protestë, pavarësisht nga masat parandaluese të vendosura nga qeveria për COVID-19, sipas të cilave janë të ndaluara tubimet publike të më shumë se pesë personave.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan për të gjykuar krime të pretenduara të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës nga viti 1998 në 2000. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por ndodhen në Hagë dhe përbëhen nga staf ndërkombëtar.

Ato u krijuan nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët druheshin se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ishte aq i fuqishëm sa të gjykonte çështje të UÇK-së dhe të mbronte dëshmitarët nga ndërhyrjet.

E ashtuquajtura “Gjykatë Speciale” nuk shihet me sy të mirë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e shohin atë si një fyerje të luftës së UÇK-së për çlirimin nga sundimi serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore