Lajme

Hagë/ Avokatët mbrojtës: Prokuroria s’ka gjetur asnjë provë për akuzat, Tribunali i ngritur mbi gënjeshtrat e Dick Marty-t


Konferenca e tetë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po zhvillohet konferenca e tetë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka akuzuar prokurorinë për gënjeshtra. Sipas tij ata kanë bërë deklarata të pasakta.

“Prokuroria është organ që mori vendimin që të arrestonte këta burra, dhe ata kërkuan mbajtjen e tyre të ndaluar më shumë se një vit. Disa gjëra duhet të vendosen tani. Prokuroria ka gënjyer”.

“Prokuroria u bindi juve (gjykatën) që këta burra që janë në ndalim duhet të mbeten të tillë dhe deri në fund të vitit do të kishte zhvillime dhe do të ishin gati për nisjen e gjykimit”.

Prokuroria s’ka gjetur asnjë provë për akuzat

Gjykata Speciale sipas Emmerson është themeluar mbi raportin e Dick Martyt i cili është krejtësisht gënjeshtër. Madje, ai u shpreh se krejt kjo vonesë po bëhet qëllimshëm që krerët e UÇK-së të mbahen në paraburgim.

“Të gjitha provat të cilat ZPS-ja thotë që do të nxjerrën në gjykim, 80% janë nxjerrë që prej kohës që ata ju gënjyen juve. Pra nëntë muajt e parë të mbajtjes në burg ishin një gënjeshtër”.

“Ky është një proces i qëllimshëm që këta burra të rrinë në paraburgim. Ne nuk e dimë se kur do të fillojnë hetimet e tyre. Dokumentet bazë të këtij tribunali që e bëjnë të qartë që tribunali u themelua për të gjykuar akuzat e përshkruara anembanë të raportit të Dick Martit, raport krejtësisht politik. Ai shkroi një raport që përfshinte akuzat më absurde dhe më të paimagjinueshme”, tha Emmerson.

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson

Ai tutje deklaroi në konferencë se provat kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së është vërtetuar se janë të zbulimit serb. E kjo sipas tij është vërtetuar në gjyqin kundër Ramush Haradinajt.

“Është një rrugë me dy pista. Shumica e gjykatësve në pozicionin tuaj do ta kishin humbur durimin me prokurorinë. Institucioni u themelua për të shqyrtuar këto akuza, absurd që u sajuan nga dëshmitarë që i ka paraqitur zbulimi serb sepse është zbuluar në gjyqin e Haradinajt”, ka deklaruar Emmerson.

Kehoe: Prokuroria po “blen” kohë me vonesat e dokumenteve 

Avokati i Thaçit, Gregory W.Kehoe, ka akuzuar Zyrën e Prokurorit Special (ZPS) se po i vonon dokumentet e përkthyera.

Kjo erdhi pasa gjyqtarja në Speciale, kërkoi shtyrjen e afatit për dokumentet deri në janar të vitit 2022.

“Ne kemi identifikuar 31 janarin 2022 si afat për përkthimin e dokumenteve. Megjithatë do doja të thoja që përkthimet do vazhdojnë të nxjerrën në mënyrë graduale sapo ato të bëhen të disponueshme”, ka thënë ajo.

Ndaj kësaj ka reaguar ashpër avokati mbrojtës i Thaçit duke thënë se “Si mund të thotë një njeri me mendje të plotë, që po bëjnë çdo gjë për të akuzuarit, ndërkohë që vazhdojnë me dokumentet, e të akuzuarit tonë po mbahen ende në burg. Kjo është qesharake. Duhet të ketë një pikë ndarëse, ata kanë vendosur t’i ndalojnë këta burra më 31 janar”, ndërsa ZPS-ja do që të kërkoj sërish shtyrjen, ndoshta deri në mars tha Kehoe.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory W.Kehoe

Tre dëshmitar ndërkombëtar në rastin e ish-liderëve të UÇK-së

Prokurorja e specializuar ka thënë se lidhur me rastin kanë marrë deklaratat e tre dëshmitarëve ndërkombëtar.

“Materialet e tjera që lidhen me dëshmitarët që kanë qenë objekt i kërkesave për ndryshim ose i palëve të treta janë marrë dhe janë nxjerrë gjithashtu”, ka thënë prokurorja e specializuar.

Ndërsa para 1 nëntorit nuk kanë në plan që të nxjerrin materiale të tjera tha ajo.

“Nuk planifikojmë që të nxjerrim paketë tjetër të dokumenteve përpara datës 1 nëntor. Besojmë që të gjitha materialet që i kemi pasur në zotërim deri më tan i kemi nxjerr”.

Prokurorja e specializuar e ZPS-së

Të akuzuarit ndihen të pafajshëm lidhu me akuzat

Në paraqitjet e parë më 9 nëntor, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që ata ngarkohen nga ana e prokurorisë.

Gjithashtu, edhe Kadri Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor ishte deklaruar i pafajshëm dhe një ditë pas tij edhe i akuzuari tjetër Rexhep Selimi.

Më 26 tetor të vitit 2020 ishte konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Personat e tjerë që përmenden në aktakuzë janë Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të”, thuhet në aktakuzë.

Konferenca e tetë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Ish-liderët e UÇK-së, konferencën po e ndjekin online përmes një video-lidhje.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore