Lajme

Haga dëshiron të arrestojë Putinin: raportet dhe videot tregojnë se ai ka dëbuar të paktën 6 mijë fëmijë


Urdhër arresti ndërkombëtar është firmosur dje në orën 16 nga gjyqtarët e Gjykatës Penale në Hagë.

Kështu tani presidenti Vladimir Putin kërkohet zyrtarisht me akuza për krime lufte “për dëbimin e fëmijëve dhe adoleshentëve ukrainas në Rusi”.

Dispozita është e njëjtë kundër Maria Lvova-Belova, komisionerja e Moskës për të drejtat e fëmijëve, e cila personalisht mbikëqyrte transferimet dhe organizimin e pritjes në jetimore dhe familje të reja.

Ky është zbulimi i bujshëm në hetimin e nisur disa javë pas pushtimit, duke i rritur tensionet me Moskën, e cila i përkufizon dokumentet gjyqësore si “letër higjienike”, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nga Kievi përgëzon duke e quajtur atë  “një vendim historik, fillimi i fundit dhe BE-ja paralajmëron se “Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri, tani duhet të vazhdojmë”.

Urdhri i arrestit u nënshkrua nga tre gjyqtarë: italiani Rosario Aitala, japonezi Tomoko Akane dhe kostarrikani Sergio Ugalde.

Pasoja është e menjëhershme, nëse Putini dhe bashkëpunëtorja e tij e besuar do të largoheshin nga kufijtë, ata mund të arrestoheshin nga çdo forcë policore e një prej 123 shteteve që kanë nënshkruar konventën.

600 dosjet

“Ne vazhdojmë të punojmë”, komenton Lvova-Belova, duke sugjeruar se transferimet nuk do të ndalen.

Kievi pretendon se mbi 16 mijë të mitur janë dërguar në Rusi, ndërsa raportet ndërkombëtare vlerësojnë të paktën 6 mijë  dëbime.

Në urdhër-arresti renditen rastet e konstatuara tashmë përmes dëshmive të prindërve, familjarëve dhe vetë fëmijëve që arritën të kthehen në Ukrainë.

Hetimi u fokusua tek ata që u shkëputën nga familjet e tyre, por edhe tek jetimët që u mbyllën në strukturat ruse për t’u “edukuar”.

Shumica ishin nga Donbass, pastaj ka nga ata që janë marrë në Mariupol, në Donetsk.

Kontrollet vazhdojnë sepse sipas standardeve ndërkombëtare, ky lloj krimi mund të kundërshtohet vetëm nëse kryhet në territoret e pushtuara dhe për këtë arsye është thelbësore të rindërtohet historia e çdo fëmije dhe adoleshenti të detyruar të jetojë larg vendit dhe familjeve të tyre.

Bisedat në telegram

Në mijëra faqet e mbledhura nga prokuroria e koordinuar nga britaniku Karim Ahmad Khan dhe nga të njëjtët gjyqtarë që më pas urdhëruan arrestimin, gjenden edhe dokumentet e dërguara nga Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andrij Kostin.

Përveç raportimeve, videot që tregojnë mbërritjen e fëmijëve dhe të rinjve në Rusi, dokumentimin e bastisjeve nga ushtarët dhe hyrjet në disa ndërtesa të Ukrainës, udhëtimet e mëpasshme, janë edhe bisedat e përgjuara në kanalin Telegram.

Pikërisht aty – në disa grupe sekrete të krijuara posaçërisht, por edhe në postime publike, Komisionerja Lvova-Belova dhe bashkëpunëtorët e saj komunikojnë transferimet e ndryshme dhe japin indikacione se ku duhet të çojnë të miturit.

Duke marrë shpesh përgëzime nga vetë Putin, i cili në maj 2022 nënshkroi një dekret për të përmirësuar dhe vënë menjëherë në funksion procedurat për marrjen e nënshtetësisë ruse për ukrainasit.

Urdhër-arresti ndërkombëtar u lëshua për shkak se krerëve të shteteve nuk u jepet imunitet në rastet kur përfshihen në krime lufte, krime kundër njerëzimit ose gjenocid.

“Plaçkë lufte”

Hetuesit dhe magjistratët që hetojnë krimet e kryera gjatë konfliktit shpjegojnë se kjo linjë hetimi ka pasur gjithmonë përparësi sepse “fëmijët dhe adoleshentët nuk mund të trajtohen si plaçkë lufte”.

Komisioni hetimor i OKB-së dërgoi konkluzionet e tij në Gjykatë, duke konfirmuar akuzat për krime kundër njerëzimit.

Sipas një raporti të publikuar nga një qendër kërkimore e Universitetit Yale në shkurt 2023 dhe të titulluar “Programi sistematik i Rusisë për riedukimin dhe adoptimin e fëmijëve ukrainas” thuhet se “midis shkurtit 2022 dhe janarit 2023 janë transferuar më shumë se 6 mijë të rinj të moshës 4 muajsh dhe 17 vjet.’

Objektet e paraburgimit

Studiuesit identifikuan «43 objekte ndalimi dhe riedukimi, nga të cilat 12 rreth Detit të Zi, shtatë në Krimenë e pushtuar, 10 rreth qyteteve të Moskës, Kazanit dhe Ekaterinburgut, ndërsa të tjerët në rajonet e Lindjes së Largët ruse, nga të cilat dy  në Siberi”.

Në dosje saktësohet se “prindërit janë detyruar, mashtruar me premtimin për transferim të përkohshëm ose nuk janë konsultuar fare dhe formularët e kujdestarisë janë plotësuar me firma false”.

Në çdo rast, aftësia e prindërve për të dhënë pëlqimin efektiv konsiderohet e dyshimtë, sepse “gjendja e luftës dhe kërcënimi i nënkuptuar i forcave pushtuese përfaqëson një formë shtrënguese të vazhdueshme”.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon urdhër-arresti për Vladimir Putin

A ka gjasa që presidenti rus të dalë në gjyq për konfliktin në Ukrainë?

Gjykata penale e Hagës kundër Putinit: çfarë është dhe kur ndërhyn

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore