Shqipëria

Hacker-i vjedh 15 milionë Lekë nga “paga e luftës”


Një 32 vjeçar  u arrestua nga Policia e Shtetit pasi përfitoi 15 milionë Lekë,  nëpërmjet mashtrimit elektronik.

Duke përfituar  nga situata e pandemisë COVID-19, shtetasi Denis Trungu kishte ngritur një skemë mashtrimi duke hackuar sistemin e ngritur nga qeveria për dhënien e pagës së luftës.  Ai kishte hapur një llogari bankare për përfitimin e “Pagës së luftës”, në një bankë të nivelit të dytë.

Ai ka kryer 36 transaksione financiare  në llogari të ndryshme të bankave të tjera të nivelit të dytë, në vendin tonë, në vlerën e 15 milionëve e 533 mijë 510 Lekëve. Pas transferimit të shumave të ndryshme,  Trungu kryente tërheqje në  bankat, ku ishin transferuar këto fonde, nëpërmjet kartave bankare ose duke u paraqitur vetë në bankë. Ai kishte tentuar t`i tërhiqte këto fonde dhe jashtë vendit.

Ky shtetas, banues në Durrës,  ishte dënuar më parë  me gjobë  nga Gjykata e Shkallës së Parë, Durrës për kryerjen e veprës penale “Vetëgjyqësia”,  si dhe ishte dënuar me 3 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”. Ai ishte dënuar më parë edhe  nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat, me 9 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.

Pas gjashtë muajsh hetime, njësia  për Hetimin e Krimeve Kibernetike nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë organizoi operacionin policor, të koduar  “Platforma”.

Çështja i  kaloi Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” /AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore