Bota

Hack-ohen mikrofinancat e Hezbollah-ut


Një grup i quajtur “Spiderz” ka hack-uar dhe më pas publikuar të dhënat financiare të organizatës jo qeveritare (OJQ) Al-Qard al-Hasan, institucion financiar i grupit radikal pro-iranian në Liban, Hezbollah.

OJQ-ja funksionon praktikisht si të ishte banka qendrore e Hezbollah-ut në Liban. Ajo është financuesja kryesore e të ardhurave dhe pastrimit të parave që Hezbollah-u kryen.

“Spiderz” kanë publikuar një listë të personave që kanë marrë hua dhe kanë depozituar para në Qard al-Hasan. Në këto të dhëna përfshihen vlerat dhe këstet e secilit debitor. Gjithashtu është i përfshirë dhe buxheti i institucionit për vitet 2019 dhe 2020.

Të dhënat gjithashtu tregonin llogaritë që al-Hasan kishte në disa banka libaneze. Sipas ekspertëve, këto të dhëna mund të ekspozojnë institucionet financiare në Liban, duke i bërë pjesë të sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja.

Në vitin 2007, Departamenti i Thesarit të Shtetit në SHBA, sanksionoi OJQ-në për lidhjet që kishte me organizata terroriste.

Të dhënat e fondacionit përfshinin dhe llogari në bankën libaneze Jamal Trust Bank. Kjo bankë u sanksionua në 2019-ën nga SHBA-ja për lidhjet me Hezbollah-un.

Mënyra si funksionon fondacioni, është duke dhënë hua në këmbim të kolateralëve. Kryesisht këto përfshijnë sende me vlerë ose ar. Nga lista e publikuar rezultojnë mbi 200 mijë debitorë.

Këtë vit, fondacioni instaloi edhe bankomate në zonat e kontrolluara nga Hezbollah-u në Liban. Ky veprim është në shkelje të plotë të ligjeve të Libanit.

Nga ana tjetër, ky hap i lejon personave që financohen nga Hazbollah-u të tërheqin para lirisht pa pasur asnjë kufizim apo limit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore