Lajme

Habilitimi si rrugë drejt rehabilitimit të Arsimit të Lartë


Arsimi parauniversitar në Kosovë ka kaluar nëpër disa procese të reformimit dhe mund të përballet edhe me të tjera. Problemet e shfaqura në nivelin parauniversitar po barten edhe në nivelin universitar.

Një proces tjetër mëse i nevojshëm për reformë është që lidhet me vet mësimdhënësit universitar, të cilët edhe pas kualifikimeve të nevojshme duhet t’i nënshtrohen edhe një filtri shtesë. Mirëpo nuk është ofruar ndonjë model funksional.

Drejtori i Institutit Kërkimor Shkencor “Albanica” me seli në Lubjanë të Sllovenisë, profesori Martin Berishaj ka ofruar një propozim se si t’i hapet rruga reformave në arsim.

Ai ka thënë se për tu bërë reforma në arsim, është parakusht që të ekzistojë forma. Prandaj, sipas tij është e domosdoshme që të jetësohet institucioni i habilitimit për mësimdhënësit e universiteteve publike dhe private në mënyrë që t’i ofrohen dije të strukturuara studentëve.

Në pyetjen e Albanian Post, se si do të realizohet praktikisht habilitimi, Berishaj ka thënë se fillimisht është mëse e nevojshme të shpjegohet se çka paraqet institucioni i habilitimit si koncept.

“Habilitimi (latinisht: habilis – i aftë, i përshtatshëm) është provimi më i lartë akademik postdoktoral, i cili dëshmon aftësinë për ta marrë thirrjen profesor asistent universiteti, e që si institucion i dijes, në shumë vende evropiane është kusht për thirrjen profesor universiteti”.

Institucioni i habilitimit në universitetet evropiane është shfaqur në messhekullin e XIX-të dhe si institucion kërkon që kandidatët të kenë praktika të caktuara mësimore ose kërkimore dhe ta kenë gradën doktor.

“Kushti për habilitatim është titulli i fituar i doktoratës dhe një përvojë e caktuar praktike mësimore ose kërkimore në këtë temë, e cila shpesh kërkon shkrimin dhe mbrojtjen publike të një vepre të veçantë (tezat e habilitimit)”, përmes së cilës fitohet e drejta për mësimdhënie.

Profesori Berishaj thotë se megjithëse ka ekzistuar si traditë “ajo sot zbatohet shumë rrallë në praktikë në vende me tradita të larta arsimore”. “Ne synojmë që ta bëjmë gradualisht”, sqaron ai, për Albanian Post.

Kjo ngrit nevojën e një komisioni habilitimi dhe rrjedhimisht gjetjen e njerëzve të përshtatshëm për të qenë pjesë dhe për ta udhëhequr atë, pasi që në asnjërin rrafsh nuk mund të ketë persona të pahabilituar.

“Për fillim duhet që në përbërjen e vet të kenë profesorë të habilituar nga katedra, por edhe profesor eminent ndërkombëtarë të lëmive të ndryshme, të cilët do të përcjellin procesin në mënyrë aktive për ta ngritur cilësinë e mësimdhënies në Universitet, dhe së fundmi në komision nuk mund të jenë persona që kanë konflikt interesi”, nënvizon Berishaj.

Sipas profesorit, nuk është vetëm doktorata kusht, por kandidati duhet të ketë edhe një tezë të përafërt të habilitimit me atë të doktoratës, përtej kërkesës së padiskutueshme për botime në revista me recension ndërkombëtar.

Për më tepër, “në rast se kandidati i jep disa lutje për habilitim në disa lëndë, atij nuk do t’i pranohen të njëjtat tekste, kështu që i rrudhet mundësia e monopolit mbi lëndët që pretendon”, thotë profesori.

Ky proces sipas Berishajt parandalon mundësinë që kandidatët të jenë bartës të disa lëndëve dhe do të ishte hapi i parë “drejt fillimit të reformës në arsimin e lartë”, meqë sipas profesorit Berisha “për t’u bërë reforma duhet të ekzistojë forma”.

Profesori vlerëson se reforma në arsim duhet të ndodh në të gjitha nivelet, nga foshnjorja e deri në universitet. Për sa i përket përfshirjes së procesit të habilitimit brenda strukturës ligjore aktuale, ai mendon se për t’u realizuar një institucion të tillë do të duhej të ndryshohej përpos tjerash edhe Ligji për Arsim të Lartë, dhe si pasojë edhe Statuti i Universitetit.

Ndërsa, lidhur me mundësinë e favorizimeve të natyrave të ndryshme, qoftë edhe politike, nëse ky institucion, përkatësisht Komisioni për Vlerësimin dhe Certifikimin e Kandidatëve përbëhet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë apo nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), Berishaj ka thënë se autonomia e universitetit është e paprekshme.

Kontrata të përhershme nuk duhet të ketë, “përveç për profesorët e rregullt”, thekson profesori Berishaj.

“Këto institucione duhen të revidohen në bazë të Ligjit të ri për Arsim të Lartë. Pra, që të jem i thjeshtë deri në kuptueshmëri, autonomia e universitetit është e paprekshme, dhe politika aty nuk ka çka të lypë”.

Reforma në arsim nuk është e lehtë, gjë të cilën e kanë dëshmuar mbi 20 vjet të pasluftës në Kosovë. Mirëpo, sipas profesorit Berishaj, ajo është kërkesë për të ardhmen.

Pra, në asnjë rast, “universiteti nuk duhet dhe nuk guxon te jenë strehë e ruajtës të paqes sociale nëse dëshirojmë të shkojmë përpara”, përfundon profesori Martin Berishaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore