Lajme

Guterres, thirrje për korridore humanitare në Ukrainë deri të dielën e Pashkëve Ortodokse


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një pauzë humanitare katërditore deri të dielën e Pashkëve Ortodokse në luftimet në Ukrainë. Kështu ka raportuar agjencia e lajmeve ndërkombëtare “Reuters”.

Guterres tha se OKB-ja po u parashtronte plane të detajuara palëve dhe ishte e gatshme të dërgonte karvane ndihme humanitare në Mariupol, Kherson, Donetsk dhe Luhansk.

Kjo, duke filluar nga e enjtja e madhe dhe deri të dielën e 24 prillit, data e Pashkëve Ortodokse, e cila festohet nga shumica e ukrainasve dhe rusëve.

Ai u tha gazetarëve se, “nevojat humanitare janë të tmerrshme. Njerëzit nuk kanë ushqim, ujë, furnizime për t’i trajtuar të sëmurët apo të plagosurit apo thjesht për të jetuar çdo ditë”.

Një pauzë humanitare do të lejojë kalimin e sigurt të civilëve të gatshëm të largohen nga zonat e konfliktit. Përveç kësaj do të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare për njerëzit në zonat e goditura rëndë.

Më shumë se 12 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare në Ukrainë, tha Guterres.

“Në vend të festimit të një jete të re, kjo Pashkë përkon me një ofensivë ruse në Ukrainën Lindore. Përqendrimi intensiv i forcave dhe i fuqisë së zjarrit e bën këtë betejë në mënyrë të pashmangshme më të dhunshme, të përgjakshme dhe shkatërruese”, ishte mesazhi i Guterres-it.

Ai e përmbylli, duke thënë se, “sulmi dhe numri i tmerrshëm i civilëve që kemi parë deri më tani mund të zbehet në krahasim me tmerrin që na pret”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore