Sport

Guardiola zbulon nënshkrimin e parë të Laporta-s


Në mes të skandalit “Barçagate” që ka shpërthyer së fundmi, nënshkrimi i parë i projektit të ri të Barcelona-s është mbyllur.

Edhe pse nuk dihet me siguri nëse Ronald Koeman-i do të jetë tekniku i Barcelona-s së Joan Laporta-s, të dy kanë rënë dakord që Eric Garcia të jetë nënshkrimi i parë për të forcuar skuadrën Blaugrana që nga vera e ardhshme.

 

Lojtari është kërkuar edhe në merkaton e verës së kaluar. Kërkesa e lartë e Manchester City-t për kartonin e lojtarit, 25 milionë euro, kur ishte në vitin e fundit të kontratës, nuk hyri në planin e shpenzimeve dhe këtë merkato do ta afrojnë me kosto zero.

Këtë fakt për nënshkrimin e lojtarit e ka konfirmuar vetë tekniku i Manchester City-t, Pep Guardiola. Garcia ka qenë një ndër të preferuarit e ish-presidentit, Josep Maria Bartomeu-t, megjithëse nuk arriti ta nënshkruante. Sipas Guardiola-s do të jetë Laporta që do e nënshkruajë, sapo të konfirmohet në krye të klubit.

Pavarësisht se sezonin e kaluar Garcia ishte një nga zbulimet e City-t, këtë vit po vuan nga shkëlqimi i dyshes, John Stones dhe Ruben Dias. Kjo ka bërë që City t’i hapë rrugën Garcia-s, ndërkohë që afrimi i tij te Barcelona mund të sjellë ngjarje të tjera.

Samuel Umtiti dhe Clement Lenglet-i, dy qendërmbrojtësit e Barçës, mund të largohen, sidomos pas performancave të dobëta të treguara dhe kritikave të shumta që kanë marrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore