Lajme

Grupi Philip Morris pranon se mund të mos e shesë kurrë biznesin e vet në Rusi


Kompania Philip Morris ka pranuar se është më mirë ta mbajë biznesin e vet në Rusi sesa ta shesë me kushtet e rrepta të Kremlin-it.

Kjo lëvizje ka ravijëzuar sfidat për kompanitë që përpiqen të largohen nga vendi pa marrë një goditje të madhe financiare.

Shefi ekzekutiv Jacek Olczak ka thënë se grupi, i cili shet cigare Marlboro jashtë SHBA-ve, ka qenë në diskutime me të paktën tre blerës potencialë seriozë.

Mirëpo, ai ka zbuluar gjithashtu se bisedimet kanë ngecur sepse askush nuk e di se si mund ta bëj marrëveshjen të funksionojë.

Shumë kompani perëndimore u zotuan të largoheshin nga Rusia menjëherë pas pushtimit të Ukrainës vitin e kaluar, por më pak se 9 për qind e grupeve të BE-së dhe G7-s në vend janë larguar deri në fund të dhjetorit, sipas Institutit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Menaxhimit.

Sakaq, komentet e Olczak nënvizojnë vështirësitë burokratike për kompanitë që kërkojnë të zhveshin asetet e tyre ruse dhe koston e mundshme të heqjes dorë nga tregu i vendit, një treg shumë fitimprurës për grupet e duhanit.

Ai ka treguar se ka një detyrë ndaj aksionerëve për të rikuperuar vlerën, duke vënë në dukje rregulloret që lejojnë Kremlin-in të diktojë vlerësimin e shitjes së aseteve ruse nga kompanitë e huaja, si dhe dividendin e pronarit të ri dhe aksesin në fluksin e parave.

Teksa çmimi i kërkuar për operacionet ruse të kompanisë nuk është bërë i ditur, grupi ka 2.5 miliardë dollarë asete në vend, sipas dosjeve të kompanisë.

Me afrimin e përvjetorit të parë të pushtimit të 24 shkurtit, disa nga emrat më të mëdhenj të biznesit ndërkombëtar janë larguar nga vendi.

Grupet e energjisë nga BP dhe Shell tek ExxonMobil dhe Equinor ose i kanë përfunduar sipërmarrjet e përbashkëta ose i kanë ulur në zero aksionet e tyre të mbetura.

Huadhënësi francez Société Générale është banka më e madhe që është tërhequr, ndërkohë që thuajse të gjithë prodhuesit ndërkombëtarë të makinave me fabrika në vend janë shitur ose janë larguar.

Por bankat evropiane Raiffeisen dhe UniCredit mbeten në vend, ashtu si Unilever dhe Procter & Gamble, megjithëse të dy grupet e konsumatorëve thonë se kanë ulur operacionet.

Kurse Imperial Brands, prodhuesi i purove dhe cigareve Davidoff, i shiti operacionet ruse një partneri lokal menjëherë pas pushtimit, duke marrë një goditje prej 463 milionë dollarësh në fitimet vjetore.

Kjo është në kontrast me grupet e tjera të duhanit. Japan Tobacco nuk planifikon të largohet dhe British American Tobacco ka luftuar për të arritur një shitje jashtë linjës.

Rusia ka qenë historikisht një treg i madh për kompanitë e mëdha të duhanit për shkak të normave të larta të pirjes së duhanit dhe gatishmërisë së konsumatorëve për të kaluar në produkte të tjera alternative.

Ashtu si Marlboro, kompania shet markat e cigareve duke përfshirë L&M dhe Chesterfield, zotëron produktin IQOS dhe së fundmi bleu Swedish Match për më shumë se 15 miliardë dollarë.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore