Grupi kriminal sirian sulmoi Policinë shqiptare, zbardhet ngjarja
Vitjon Nina
26.05.2023 10:06Një ngjarje e rëndë është regjistruar në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërinë, ku një grup kriminal sirian, i cili dyshohet se operonte në fushën e trafikimit të qenieve njerëzore, është përballur me Policinë Kufitare dhe ka shkëmbyer zjarr.
Ky grup, mësohet se organizonte dhe drejtonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve nga vendet e treta, nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me destinacion final shtetet e BE-së.
Përmes një njoftimi zyrtar, forcat e rendit kanë bërë me dije se ata ishin të armatosur dhe në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, kanë hapur zjarr ndaj punonjësve, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.
Pas disa orësh ndjekje nga shërbimet e Policisë vendore dhe kufitare të Kukësit, duke koordinuar veprimet me Policinë Kufitare të Kosovës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i gjashtë prej tyre, si dhe shpallja në kërkim e një shtetasi tjetër.
Kontrolli i zonës vijon ndërkaq për të gjetur armët e zjarrit të përdorura në këtë rast.
Dinamika e plotë
Në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huaj që ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Shërbimet e Policisë iu kanë bërë thirrje këtyre shtetasve, që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë.
Menjëherë është komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës, me qëllim bllokimin e kufirit në anën e Kosovës, dhe pas disa orësh ndjekje, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e 6 prej tyre.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, shtetasit :
-A. B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç, M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim shtetasi S. G., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane.
Operacioni “Strukturimi” vijon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.