Lajme

Gruaja amerikane vret atentatorin gjatë një sulmi në një festë


Ndodh sërish në West Virginia të SHBA-ve, vetëm se këtë herë, tragjedia më e madhe parandalohet nga një grua, e cila ishte e armatosur gjatë një feste ku një person nisi të qëllonte me një armë gjysmë-automatike ndaj turmës.

Me një lëvizje të thjeshtë ajo nxorri armën e saj të llojit pistoletë nga çanta që mbante me vete dhe e qëlloi me saktësi një person të armatosur, i cili po bëhej gati të hapte zjarr ndaj një grupimi prej 30-40 personash në një festë në Charleston të West Virginias.

Keqbërësit i ishte kërkuar nga efektivët e Policisë Rrugore që të ulte shpejtësinë gjatë drejtimit të mjetit. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, ai u kthye dhe u përpoq të qëllonte mbi të pranishmit në festën që po mbahej aty pranë.

Sipas një zëdhënësi për shtyp të Policisë, Tony Hazelett, ndërhyrja e gruas ishte vendimtare në shpëtimin e jetës së të pranishmëve.

Për më tepër, kur e gjithë ngjarja ndodh në një çast debati shumë të nxehtë publik në shoqërinë amerikane, pas sulmit në një shkollë ku një adoleshent vrau 19 nxënës dhe dy mësues, përpara se të neutralizohej nga një ndërhyrje e vakët dhe e papërshtatshme policore.

Ligji i armëve në SHBA ka qenë ndër më të diskutuarit prej kohësh, pasi çdo person mund ta zotërojë një të tillë mjaft thjesht dhe të blejë lirisht municione deri në armatime shumë të rënda semi-ushtarake.

Mbi gruan që shpëtoi turmën në Charleston, nuk do të ngrihen akuza ndërkaq për vrasjen e atentatorit, pasi rrethanat cilësuese quhen ato të vetëmbrojtjes.

Viktima u identifikua më pas si Dennis Butler, një 37-vjeçar me një seri rekordesh kriminale në të shkuarën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore