Sport

Griezmann harron Barcelonën – “Me Atletico-n dhe Sociedad-in arrita nivelin më të lartë”


Nga Atletico Madrid-i u transferua te Barcelona për plot 120 milionë euro në verën e vitit 1019, ndërsa pas dy vjetësh qëndrimi në Kataluni, Antoine Griezmann u rikthye përsëri te Atletico fillimisht si huazim, që madrilenëve iu kushtoi 10 milionë euro.

Gjatë orëve të fundit, dyja klubet e lartpërmendura arritën marrëveshje që Griezmann të bëhet plotësisht i ekipit nga Madridi për një shifër prej 20 milionë euro.

Francezi foli tashmë si lojtar i Atletico-s, menjëherë pasi firmosi kontratën që do t’i mbajë palët e lidhura deri në vitin 2026.

Në një intervistë të dhënë pas zyrtarizimit me skuadrën e Diego Simeone-s, sulmuesi i Francës foli për karrierën e tij, por e “fshiu” Barcelonën si pjesë të jetës së tij.

“Gjithçka që doja ishte të qëndroja këtu, ta shijoja karrierën këtu. Familja ime është e lumtur për rikthimin. Është një klub ku më duan, një trajner që më do”, tha Griezmann.

Më tej, 31-vjeçari foli edhe për të arriturat e tij, derisa tha se trajneri i Atletico-s, Simeone, ishte një nga më meritorët për sukseset.

“Mendoj se kam arritur nivelin tim më të lartë falë Simeone-s, klubit Atletico Madrid, pa harruar Real Sociedad-in. Është kënaqësi të japësh gjithçka për të, të luftosh për të dhe të fitosh ndeshje për të”, tha mes tjerash Griezmann.

Kujtojmë që francezi vitet më të mira të karrierës së tij i pati te Atletico Madrid, i cili gjatë pesë sezoneve shënoi 133 gola në 257 ndeshje në të gjitha garat.

Por, te Barcelona ai nuk pati paraqitje aspak të mira, duke kontribuar me vetëm 35 gola në 105 ndeshje, madje humbi edhe vendin e titullarit.

Tani Griezmann ka shënuar 11 gola me fanellën e Atletico-s në vetëm 46 paraqitje në të gjitha garat, për këtë periudhë që është ishte i huazuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore