Shqipëria

Greqia zgjerohet deri në 12 milje në detin Jon


Qeveria greke miratoi dekretin për zgjerimin e ujërave territoriale  me 12 milje në detin Jon. Konventa Ndërkombëtare e Kombeve te Bashkuara për Ligjin e Detit e përfunduar në Montego Bay në Dhjetor 1982, lejon ushtrimin e juridiksionit dhe sovranitetit brenda asaj që quhet Zonë Ekonomike Ekskluzive (EEZ), shtetit i cili ka firmosur Konventën.

Zona Ekonomike Ekskluzive është pjesa e detit ngjitur me ujërat territoriale, e cila shtrihet deri në 200 milje nga vijat bazë nga ku matet gjerësia e detit territorial.

Ky vendim vjen dy muaj pas 20 tetor-it, ku Kryeministri Edi Rama njoftoi se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për 12 miljet detare do të shqyrtohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit.

“Qeveria greke po i dërgon kështu një mesazh Turqisë pas dritës jeshile për shtrirjen e ujërave territoriale nga gjashtë në 12 milje detare në ishujt Jon dhe në Kepin Tainaro në Peloponez”, shkruan media greke “Protothema”.

Ajo shton se përcaktimi i Zonës Ekonomike Ekskluzive në Detin Jon, i hap rrugën zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes Greqisë dhe Shqipërisë për ndarjen e kufirit detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Kryeministri Edi Rama, në reagimin e tij në twitter pasi Greqia dekretoi zgjerimin në detin Jon, theksoi se “nuk është shitur det te Greqia, por ajo po ushtron të drejtën e saj, ashtu siç vendi ynë e ka ushtruar që në ’90-tën”.

Rama paraqiti dokumentin e vitit 1990, ku Shqipërisë i njihet e drejta për zgjerimin detar deri në 12 milje, sot akoma në fuqi në regjistrin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“As pala greke s’kishte çfarë kontestonte atëherë, as ne s’kemi çfarë te kontestojmë tek vendimi i Greqisë!”, shkruan Rama teksa kujton se pavarësisht se vendimi i fundit është e drejtë e tyre, çështja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë është në Hagë.

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore