Lajme

Greqia shlyen dy vjet përpara borxhin ndaj FMN-së


Greqia ka shlyer përfundimisht borxhin e saj ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), si pasojë e krizës së euros që shpërtheu në vitin 2010 dhe që rrezikoi ta nxjerrë Athinën nga sistemi euro.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Ai ka saktësuar se e gjithë kredia është shlyer dy vjet më herët se afati fillestar.

“Është fundi i një epoke, i një kapitulli gri në historinë e vendit”, ka shkruar Mitsotakis në platformën Twitter.

Kriza e borxhit grek e ka tronditur Evropën për disa vite, duke arritur kulmin në vitin 2015 me tërheqjen e luftës midis kryeministrit të atëhershëm Tsipras dhe autoriteteve monetare, referendumin për planin e shpëtimit dhe marrëveshjen e papritur.

Mësohet se Athina i ka paguar FMN-së këstin e fundit prej 1.9 miliardë eurosh të një kredie totale prej 32 miliardë eurosh dhe që pritej të shlyhej në muajt e parë të vitit 2024.

Greqia tanimë do të kursejë 230 milionë euro në interes, sipas asaj që u komunikua nga ministri i Ekonomisë, Christos Staikouras.

Megjithatë, llogaritë publike të vendit mbeten nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Normat e interesit të obligacioneve të qeverisë janë 2.5 për qind kundrejt 35 për qind në periudhën më akute të krizës.

Vendi ka ende një normë papunësie gati 13 për qind, por shumë larg nga 22-përqindëshi dramatik që goditi vitin 2017.

Kriza u shfaq në të gjitha dimensionet e saj në vitin 2010, kur kreu i atëhershëm i qeverisë Jorgo Papandreu duhet të pranonte se llogaritë e shtetit ishin falsifikuar për të garantuar hyrjen në euro.

U dhanë hua të mëdha ndërkombëtare, por qeveria duhej të niste një plan shtrëngues të frikshëm që përfshin privatizime, shkurtime ose ngrirje të pagave dhe pensioneve.

Vetë Christine Lagarde, asokohe kryetare e FMN-së, pranoi vite më vonë se ndaj Greqisë ishte mbajtur një qëndrim tepër ndëshkues.

Megjithatë, viti kyç ishte 2015-ta. Në zgjedhjet politike u afirmua partia Syriza e drejtuar nga Alexis Tsipras.

Greqia u bë simboli i atyre që kontestonin epërsinë e financave mbi vullnetin popullor. Dhe, në qershor, Athina nuk e ktheu këstin e kredisë së FMN-së dhe iu desh të përballej me reagimin e ashpër.

Tsipras drejtoi thirrje edhe për një referendum për t’i paraqitur elektoratit planin e shpëtimit të propozuar nga Evropa. Por, plani u refuzua nga 62 për qind e votuesve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore