Lajme

Greqia po ‘plaket’, 2030-ta do ta tregojë


Viti 2030 mund ta kthejë shtetin fqinj, Greqinë, në vendin me popullsinë më të moshuar në Evropë.

Kjo, sipas zyrës evropiane të statistikave, Eurostat.

E përditshmja greke, “ekathimerini.com”, shkruan se, me gjysmën e grekëve mbi 50 vjeç, vlerësimet e Komisionit Evropian nxjerrin se popullsia e vendit do të ulet me gati një milion deri në vitin 2050.

Madje, pritet që deri në vitin 2070, popullsia e Greqisë të pësojë një rënie me dy milionë.

Të dhënat e fundit të Eurostat-it dhe projeksionet demografike në Bashkimin Evropian tregojnë se gjatë katër dekadave të fundit, në Greqi, numri i studentëve dhe nxënësve është në rënie.

Përpos kësaj, popullsia ekonomikisht aktive është duke u rrudhur.

Diskutimi mbi këtë fenomen ka qenë i pranishëm edhe në konferencën e të martës së 19 tetorit, të mbajtur në bashkëpunim me HOPEgenesis dhe mbështetjen e Zyrës së Parlamentit Evropian dhe Delegacionit të Komisionit Evropian në Greqi.

Ministri i Punës, Kostis Hatzidakis, ka ravijëzuar në këtë konferencë se çështja demografike është një problem madhor për Greqinë.

Gjithashtu ky problem mund të paraqesë rreziqe për pensionet dhe sistemet shëndetësore, si dhe ekonominë dhe sigurinë kombëtare, ka parashikuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore