Rajoni

Greqia lehtëson masat ndaj pandemisë prej 18 janarit


Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, njoftoi mbrëmjen e së premtes, se Greqia do të ketë lehtësim të kufizimeve ndaj pandemisë prej datës 18 janar.

Lehtësira do të ketë në hapjen e aktivitetit për biznesin e vogël si, qendrat tregtare, kontrollet teknike të automjeteve dhe qendrat estetike. Gjithashtu, Qeveria greke ka njoftuar se do të ketë dhe masa financiare mbështetëse. Do të mbulohen edhe për muajin shkurt, deri në 80% të qirave për bizneset. Ndërsa ndihma financiare për personat e papunë do të zgjatet me dy muaj.

Sipas tij, vendi e ka kaluar periudhën më të vështirë të pandemisë.

Fillimi i këtyre aktiviteteve do të mbahet nën vëzhgim nga autoritetet përkatëse për zbatimin e masave parandaluese të pandemisë.

Masat si distancimi fizik, higjiena, maskat dhe respektimi i orarit të ndalim-qarkullimit mbetet akoma në fuqi.

Ora policore do të vazhdojë të jetë 21:00 me 05:00. Gjithashtu, lëvizja vetëm me autorizim nga njëra prefekturë në tjetrën dhe ndalimi i grumbullimeve masive në të gjitha ambientet është ende në fuqi.

Sipas Mitsotakis, vendi do të hapet gradualisht për t’i paraprirë sezonit turistik.

Ai i ka bërë thirrje Komisionit Evropian që të miratojë certifikatën e vaksinimit, që do t’u mundësojë të gjithë personave të vaksinuar që të lëvizin lirshëm./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore