Financa

Greqia emeton bonon e parë 30-vjeçare pas një dekade


Greqia ka dalë në tregjet financiare duke nxjerrë për shitje bono 30 vjeçare, të parat që nga viti 2008. Ky është tregues i ndryshimit drastik me gjendjen e borxhit, pas problemeve në dekadën e shkuar.

Bonot e nxjerra në shitje pritet të mbledhin një shumë prej 2,5 miliardë eurosh. Vlera e operacionit flet qartë për rikthimin e plotë të Greqisë nëpër tregje.

Bonot e dala në treg kanë tërhequr interesin e investitorëve në vlerën 26,1 miliard euro. Kjo i ka shtyrë vlerësuesit e rriskut ta vlerësojnë të ulët rriskun e operacionit, me yield-in e bonove në masën 1,93%.

BNP Paribas, Goldman Sachs, HSBC, JPMorgan dhe Banka Qendrore e Greqisë do të menaxhojnë së bashku operacionin i cili maturohet më 24 janar të vitit 2052.

Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka rinisur gjithashtu të blejë nga borxhi publik grek vitin e shkuar. Greqia u bë një nga përfituesit kryesorë nga paketa ndihmëse që BQE-ja vuri në dispozicion të shteteve gjatë pandemisë.

“Të gjitha bllokimet janë hequr nga BQE-ja”, thekson Konstantin Veit-i, menaxher portofolesh tek firma e njohur e investimeve financiare “Pimco”. “Më përpara ka patur presione për norma të larta interesi, por tani është e qartë që në këtë pikë arsyet për ato presione nuk ekzistojnë më” vijoi ai.

Richard McGuire, kreu i strategjive në Rabobank në Londër, konfirmon gjithashtu momentin e mirë të Greqisë. “Marrëveshja reflekton faktin se shqetësimet që lidheshin me kohezionin e eurozonës, tashmë i përkasin të shkuarës” tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore