Lajme

“Grenelli paguhet 100 mijë dollarë në muaj nga Serbia për lobim”


Ish i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell

“Serbia e paguan 100 mijë dollarë në muaj ish të dërguarin e SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell”.

Kështu ka thënë për mediumin malazez Antena M, analisti politik Dushan Janjiç.

“Ne madje i paguajmë edhe Grenellit 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse kur shefi i tij nuk është në pushtet”, tha Janjiç.

Ai vlerëson se Serbia po vazhdon të lobojë sipas mënyrës së vjetër dhe pa produktivitet.

“Lobimi është i organizuar shumë, çuditërisht dhe për fat të keq askush nuk ka ndryshuar asgjë, nga Slobodan Milosheviçi e deri më sot, matricat dhe agjencitë janë të njëjta dhe disi shkojmë më shumë drejt politikave sesa drejt kompanive. Nuk kemi lobim serioz”, vlerëson kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Janjiç për Antena M.

Dushan Janjiç.

Përmes cicërimave në Twitter në shumë raste Grenell ka kritikuar Kosovën, e sidomos kryeministrin e saj, Albin Kurti.

Kurti një vit më parë, kishte refuzuar të shkonte në Uashington me arsyetimin se atje po e presin “thikat mbi harta”.

Ai kishte kritikuar edhe ish emisarin amerikan për dialog, Richard Grenell dhe metodat e tij të operimit politik në raport me Kosovën.

Grenell ishte i dërguar special për dialogun në kohën sa ishte në pushtet presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Pas angazhimit të Grenell në këto bisedime, vitin e kaluar Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Uashington për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore