Kosova

Grenell: Kurti është një majtist anti-amerikan


Ish-i dërguari special i Administratës së Donald Trump për dialogun, Richard Grenell, e ka quajtur liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, një “majtist anti-amerikan”.

Kurti ka qenë kundër Administratës dhe politikës së SHBA-së ndër vite, ka shkruar Grenell në Twitter.

“Kreu i ri anti-amerikan i krahut të majtë të Kosovës, Albin Kurti, ka qenë kundër politikave të SHBA-së të sugjeruara nga Bill Clinton, George Bush, Barack Obama dhe Donald Trump”, është shprehur Grenell përmes cicërimës në rrjetin social.

“Ai gjithmonë është anti-amerikani”, ka theksuar Grenell.

Në fund të shkrimit të tij, ish-ambasadori amerikan në Gjermani, ka thënë se “ekipi i Biden duhet ta ndalojë” Kurtin dhe e ka etiketuar në tekst Jake Sullivan-in, këshilltarin për Siguri Nacionale të presidentit Biden.

Shkrimit të tij Grenell ia ka bashkangjitur edhe një artikull të mediumit izraelit Haaretz, ku thuhet se pas presionit të Turiqsë, Kosova mund të zmbrapsë vendimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem.

Twitti i Grenell për Kurtin

Kjo nuk është hera e parë që Grenell e quan Kurtin “anti-amerikan”.

Ai përmes postimeve në llogarinë e tij në Twitter, edhe më parë e kishte cilësuar Kurtin si politikan i cili është kundër politikave të SHBA-së.

“Një gjë është e sigurt, gjithmonë mund të llogarisësh se Albin Kurti do të jetë kundër SHBA-së. Ishte kundër ideve të Obamas dhe ishte kundër ideve të Bushit. Simbolizmi nuk paguan qiratë, punët po”, pati shkruar Grenell në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore