Lajme

Grenell kritikon veprimet e Kurtit: Hashim Thaçi, kemi nevojë për ju tani


Richard Grenell

Richard Grenell, ish-Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, ka vazhduar kritikat e tij në drejtim të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, veçanërisht për veprimet e fundit në Veri të Kosovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në “Twitter”, ai tha se heshtja e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ngjarjet që po ndodhin “është shqetësuese”, derisa me thirrjen “kemi nevojë për ju tani”, iu drejtua ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili momentalisht po gjykohet nga Gjykata Speciale në Hagë.

Grenell i tha Kurtit se “SHBA mbështet ata që ne besojmë se po bëjnë përparim në vlerat perëndimore”, duke e mos konsideruar Kurtin si një të tillë.

“E keni prishur lidhjen e fortë SHBA-Kosovë”, shkroi Grenell në Twitter.

Ndërkaq, ai akuzoi kreun e ekzekutivit se “jeni lideri i parë i Kosovës që dënoheni edhe nga demokratët edhe nga republikanët”.

Këto komente ai i bëri duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të Kurtit, i cili këtë të shtune pas kritikave të ashpra të ndërkombëtarëve, për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, ku Policia asistoi për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, tha se “i kuptoj shqetësimet e partnerëve, por çdo veprim tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, theksoi Kurti.

Ndryshe, për situatën e krijuar në Veri të Kosovës ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, por edhe Bashkimi Evropian, duke kritikuar kështu veprimet e Qeverisë së Kosovës.

Në komunikatën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u tha se ShBA-të “dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.

“Veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.

Nga DASH kanë bërë me dije se “këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhet në komunikatën e tyre.

Tutje, DASH i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti,  “që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”.

Ndërsa, Bashkimi Evropian përmes një komunikate për media u tha se “BE-ja dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore”, kanë thënë nga BE-ja.

Ndërkaq, theksohet se “të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore