Kosova

Greg Delawie: Nëse Kurti dhe Vuçiç kalkulojnë politikisht atëherë arritja e marrëveshjes përfundimtare vështirësohet


Greg Delawie

“Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës nëse dëshiron të bëhet anëtare e vërtet e familjes evropiane”.

Kështu të paktën ka deklaruar ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë për Zërin e Amerikës, edicioni në gjuhën serbe.

Për Delawie, nëse të dyja palët në dialog zgjedhin paqen dhe integrimin Evropian si prioritet atëherë mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare janë të mëdha.

Por nëse, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, kalkulojnë politikisht atëherë arritja e një marrëveshjeje vështirësohet.

“Nëse të dyja vendet zgjedhin paqen dhe integrimet evropiane si prioritete, atëherë ka vend për një marrëveshje. Megjithatë, nëse prioritet i jepet politikës së brendshme në vend të zgjidhjeve, bëhet e vështirë arritja e një marrëveshjeje”.

Ish-ambasadori amerikan, e ka kritikuar Beogradin për të cilin ka thënë se po tenton të përfitojë nga brenda duke shkaktuar tensione në Kosovë.

“Unë sigurisht shpresoj kështu. Shumë varet nga veprimet e Beogradit – i cili e ka vënë veten në një pozicion për të kontrolluar tensionet. Fatkeqësisht, duket se Beogradi përfiton nga brenda duke shkaktuar tensione në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Sipas Delawie zvarritja e dialogut nuk i shërben askujt.

“Ruajtja e status-quo-së nuk i ndihmon qytetarët, pushtimi i pajustifikuar i Rusisë në Ukrainë ka pasur efektin e rritjes së tensioneve në të gjithë Evropën. I takon liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të fokusohen në sigurimin që këto tensione të mos përkeqësohen”.

“Qytetarët e Kosovës dhe Serbisë meritojnë një të ardhme evropiane. Ata mund të arrijnë një gjë të tillë nëse udhëheqësit e të dy vendeve vendosin paqen, zhvillimin politik dhe ekonomik si synime”, ka shtuar ai.

Michael Kirby

Se takimi i tretë i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të përfundonte pa epilog, për ish-ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Michael Kirby, nuk ka qenë befasi. Megjithatë ai beson se palët do të vazhdojnë të takohen në ditët në vijim.

Sipas diplomatit amerikan problemi kryesor që po shkakton ngërç në bisedime është mosbesimi që kanë Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç kundër njëri-tjetrit.

“Takimet më të shpeshta besojë që mund të ndikojnë në zhvillimin e mirëkuptimit ndërmjet palëve. Bisedat e shpeshta ndihmojnë për të krijuar marrëdhënie korrekte, nëse palët nuk takohen atëherë marrëdhënia e tyre ftohet”, ka thënë Kirby.

 

Më tej diplomati veteran bënë se palët në këtë rast nuk janë të gatshëm për kompromise, nëse në fund nuk shpërblehen me diçka shumë të rëndësishme.

 

“Në aspektin teknik ekziston një mënyrë ku palët mund të arrijnë një marrëveshje, megjithatë pyetja në këtë rast është se nëse një gjë e tillë do t’i dëmtojë liderët politikisht”, ka shtuar ai.

5 orë bisedime, 1 deklaratë, asnjë marrëveshje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore