Shqipëria

Gratë, mes karrierës dhe kujdesit për familjen


“Ishte intervista e fundit për përzgjedhjen në punë. Vetëm unë dhe një djalë 27-vjeçar arritëm në këtë fazë. Pyetja përmbyllëse që më bënë, ishte nëse tani afër kisha plane për të krijuar familje”.

“U thashë që ishte pyetje jo e ligjshme. Ata e kërkonin me patjetër përgjigjen e kësaj pyetjeje. Punën e fitoi ai, djali 27-vjeçar. Edhe pse unë u kisha pëlqyer shumë për atë post. Përgjigjja e fundit ishte ajo që kishte bërë ndryshimin: kush nuk kishte plane për t’u fejuar, martuar apo për të pasur fëmijë, mbetej i favorizuar. Dikush tjetër, duhet të kujdesej për çfarë do të sillte në jetë”.

Kjo ishte brenga e Elvirës, vajzës 25-vjeçare nga Tirana, të cilën nuk e kishin punësuar, pasi i panë në gisht unazën e fejesës!

Femrat në Shqipëri

Femrat në Shqipëri duhet dhe, faktikisht, zënë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe social. Por shpesh hasin problematika të forta, mes të cilave është edhe diskriminimi në tregun e punës. Kjo ndodh, pavarësisht se janë të mbrojtura me ligje dhe konventa të ndryshme.

Studimet tregojnë se shumica e grave në Shqipëri përballen me një vendim kritik: karriera apo krijimi i një familjeje?

Sipas një studimi të Fondit për Popullsinë e Kombeve të Bashkuara (UNFPA), faktorë si mbështetja financiare, siguria ekonomike, kujdesi për fëmijët dhe ndarja e pabarabartë e përkujdesjes, ndikojnë te vendimet dhe aftësinë e grave për të zgjedhur midis të dyjave.

Gratë shpenzojnë 88% të kohës për kujdesin e papaguar. Burrat, vetëm 16%!

Një e dhënë tjetër, është ajo se 32% e grave nga mosha 15-19 vjeç nuk ndjekin shkollën, ose nuk punojnë. Kjo, për shkak të përgjegjësive të tyre familjare.

Covid-19 e ka përkeqësuar më tej këtë situatë, duke rritur barrën e grave me përkujdesjen, por dhe punët e shtëpisë. Po ashtu, pandemia ka ndikuar në uljen e numrit të grave në tregun e punës dhe në shëndetin e tyre mendor.

Historia e Silvanës

“Erdhëm nga fshati në Tiranë. Me shumë vështirësi, motra filloi punë në rrobaqepësi, ndërsa unë, kameriere. Shpesh në punë me diskriminonin që vija nga fshati. Po ashtu, edhe për mënyrën e të shprehurit”. Këtë na e thotë 24-vjeçarja Silvana, lindur në thellësitë e Rrajcës.

“Kisha dialekt të theksuar. Tallesha shpesh për zërin, për fjalët që përdorja. Kjo gjë më bëhej edhe nga njerëz që pretendonin se ishin të mirarsimuar. Kishte çaste kur jo vetëm doja të lija punën, por nuk doja veten!”

Në Shqipëri, përveç punëkërkuesve, vuajnë edhe punëdhënësit. Shkak bëhet pabarazia gjinore. Në pamundësi për të menaxhuar diversitetin gjinor, kompanitë humbasin mundësinë për të punësuar dhe mbajtur talente në punë.

Shqipëria është nën kornizën ligjore të fuqizimit të gruas, promovimin e barazisë gjinore, luftën kundër dhunës, diskriminimit dhe fuqizimit të familjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore