Lajme

Gratë e Kosovës prijnë në punësim në sektorin e shëndetësisë


Ilustrim

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020, gratë prijnë në sektorin e shëndetësisë si të punësuara.

“Në bazë të odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 24 mijë  e 92 punonjës shëndetësorë të licencuar dhe nga ta 14 mijë 966 janë femra dhe 9 mijë e 126 meshkuj”, thuhet në raportin e ASK-së.

Të dhënat e publikuara nga ASK flasin edhe për shifrat e shërbimeve dhe trajtimeve të pacientëve.

Në Spitalet e Përgjithshme të Kosovës në vitin 2020 kishte 274  mijë e 86 ditë shërimi me 63 mijë e  464 pacientë të shtrirë dhe 11 mijë e 394 të operuar.  Këto të dhëna janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke treguar edhe për shërbimet tjera shëndetësore.

Gjatë vitit 2020 po ashtu, janë realizuar 614 mijë 94 vizita ambulantore, ndërsa janë kryer 1 milion e 531 mijë e  527 shërbime (parametra) laboratorike.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim tregojnë se numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik, në vitin 2020, ishte 13 mijë 518, prej tyre 3 mijë  e 555 ishin mjekë specialistë; 8 mijë e 386 infermierë dhe 1 mijë e 577 staf jo-mjekësorë.

Në  Qendrat e Mjekësisë Familjare ishin 4 milionë e 6 mijë e 357 vizita, prej tyre 233 mijë e 256 ishin vizita stomatologjike; 926 mijë e 496 ishin shërbime laboratorike dhe të tjerat ishin intervenime dhe shërbime të veçanta.

Ndërsa gjatë vitit 2020, në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) kanë qenë 329 mijë 986 ditë shërimi; 64 mijë 778 pacientë të shtrirë dhe 14  mijë e 718 persona janë operuar. Gjithashtu janë realizuar rreth 307 mijë e 525 vizita diagnostike për pacientë; 364 mijë e 654 vizita ambulantore; 1 milion e 9  mijë e 471 shërbime laboratorike dhe 400 mijë e 243 shërbime të veçanta.

Në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QKSUK) ishin realizuar 159 mijë e 507 shërbime stomatologjike në total, prej tyre rreth 28 mijë e 414 vizita kontrolluese; 37 mijë e  637 shërbime për pacientët jashtë Prishtinës.

Numri i rasteve të reja, të identifikuara dhe të trajtuara me sëmundje malinje dhe beninje, gjatë vitit 2020, ishte 2 mijë e 787. Ndërsa, numri më i madh i të prekurve me sëmundje malinje dhe beninje i përkiste grup-moshës 60-64 vjeç, me gjithsej 401 raste.

Numri i dializave të realizuara gjatë vitit 2020 në të gjitha spitalet publike të Kosovës ishte 118 mijë e  549. Ndërsa, numri i shërbimeve nga qendrat profesionale të shëndetit mendor ishte 88 mijë e 593.

Numri i të prekurve me TBC ishte 441 persona, prej tyre 198 ishin femra dhe 243 meshkuj.

Numri i të vdekurve nga sëmundjet ngjitëse ishte 1 mijë e  344 persona, ku numri më i madh i të vdekurve ishte nga COVID-19 me 1 mijë e 336 raste.

Numri i personelit mjekësor i angazhuar në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme, që trajtuan pacientët me COVID-19 ishin 1 mijë e 951 persona.

Numri i institucioneve private shëndetësore të licencuara ka arritur në 1 mijë e 582, prej tyre 25 spitale dhe 1 mijë e 536 institucione të tjera shëndetësore si: ambulanca, poliklinika etj.

Nga gjithsej 1 mijë e 582 institucioneve private shëndetësore të licencuara, numrin më të madh e përbëjnë ambulancat stomatologjike me 411 prej tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore