Shqipëria

Gratë e burgut “Ali Demi”, në skemën e programit të punësimit


Programi i punësimit për gratë, të cilat vuajnë dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale “Ali Demi”, vijon punën në kuadër të angazhimit të femrave nëpër burgje.

Ky projekt është realizuar në bazë të marrëveshjes mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me shoqatën “Pro-Export Albania”, dhe prej dy muajsh në të janë angazhuar 16 gra.

“Kënaqësi që për herë të parë në sistemin e burgjeve, në këto 30 vjet, filluam zbatimin e programit të parë të punësimit për personat e paraburgosur dhe të dënuar”, shkruan ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në Facebook.

Krahas njoftimit, ministrja ka ndarë një video ilustruese, ku gratë shfaqen duke punuar.

Ky program u konfirmua nga ministrja e Drejtësisë që në qershor të këtij viti. Në atë kohë, ajo komunikoi se 20 gra të dënuara do të ishin pjesë e tij, “i cili fillon me trajnimin profesional njëmujor dhe më pas firmosja e kontratave individuale të punës për prodhimin e çantave me pagë referuese të pagës minimale”.

Ministrja ka bërë me dije gjithashtu se “baza materiale, makinat qepëse tani janë vendosur në dispozicion të të dënuarave dhe ky është vetëm fillimi i programit të punësimit që do të realizojmë në institucionet penitenciare”.

Ajo konfirmoi se projekte të punësimit do të pasohen edhe në Institucionet e tjera të Ekzekutimit të Vendimeve Penale.

Qëllimi i tij është punësimi i grave, të cilat vuajnë dënimin në burg, për rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre përmes punës, por edhe për t’u dhënë mundësinë e pagesës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore