Lajme

Gratë e arrestuara në Dubai për foto nudo, do të deportohen


Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe konfirmuan se një grup grash i arrestuar në Dubai pas një fotosesioni nudo në një ballkon do të deportohet.

Të paktën 12 gra ukrainase dhe një burrë rus u arrestuan pasi një video e postuar në mediat sociale tregonte një grup që pozonte nudo në zonën Marina, të Dubait.

Ata u akuzuan për shthurje publike, i cili mbart një dënim deri në gjashtë muaj burg dhe një gjobë prej 1 mijë e 357 dollarësh.

Pavarësisht se është një pikë e nxehtë turistike, Dubai ka ligje të rrepta, raporton agjencia mediatike BBC.

Çdo person që jeton ose viziton Emiratet e Bashkuara Arabe u nënshtrohet ligjeve të saj: nuk ka përjashtime për turistët.

Më shumë se një duzinë grash dhe një fotograf u filmuan në një ballkon. Kombësitë e personave të tjerë të përfshirë, nuk janë konfirmuar.

Policia tha se fotosesioni nuk “pasqyronte vlerat dhe etikën e shoqërisë vendase”.

Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme ukrainase thanë se zyrtarët e konsullatës vizituan 12 gratë të martën.

Zyra e mediave e Dubait e konfirmoi se grupi do të deportohet.

“Zyra e prokurorisë publike ka përfunduar hetimet mbi një sesion fotografik të reklamuar së fundmi, i cili kundërshtonte ligjin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Personat e përfshirë do të dëbohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Asnjë koment tjetër nuk do të bëhet mbi këtë çështje,” shkruan zyra e mediave e Dubait në Twitter.

Dëbimi i shpejtë është i rrallë në Dubai, vë në dukje agjencia e lajmeve, Associated Press. Rastet si këto zakonisht shkojnë në gjyq para dëbimit eventual.

Ky vendim erdhi vetëm disa ditë para fillimit të muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.

Ka pasur disa raste të turistëve që janë arrestuar ndërsa ishin me pushime në Dubai.

Në vitin 2017, një grua britanike u dënua me një vit burg për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me një burrë me të cilin nuk ishte e martuar. Marrëdhënia doli në dritë kur gruaja e raportoi ish-partnerin tek autoritetet për marrje të mesazheve kërcënuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore