Lajme

Gratë dhe masakra pa fund


Në Itali, shifrat tragjike të vrasjes së grave që nga fillimi i vitit kanë kaluar 100.

95 janë ato të regjistruara në dosjen “Paragjykimi dhe dhuna ndaj grave” të Ministrisë së Brendshme deri më 7 nëntor.

Raporti, përgatitur nga Drejtoria Qendrore e Policisë Kriminale në kuadër të Ditës Botërore Kundër Dhunës Ndaj Grave më 25 Nëntor, rendit të gjitha viktimat.

Ato janë aty me emër, mbiemër, moshë dhe mënyrën se si janë ndarë tragjikisht nga jeta.

Mbi gjysma, 48, janë kryer nga partneri ose ish-partneri dhe 33 nga anëtarë të tjerë të familjes, fëmijë, nipër e mbesa, vëllezër.

Raporti përmbledh po ashtu ligjin për Kodin e Kuq, i cili në vitin 2019 shtoi më shumë detaje për trajtimin e krimeve ndaj grave dhe rrethana të tjera rënduese.

Ndër to përfshihet shkelja e urdhrave të largimit, martesa e detyruar dhe pornografia hakmarrëse.

Mes të dhënave dallohet se ka një rritje prej nëntë për qind të dhunës seksuale krahasuar me vitin 2021 dhe martesa të detyruara, me 48 episode të regjistruara.

Një dëshmi dramatike…

Ishte 24 shtator 1973, në Modica.

Në një Siçili që kishte shumë pak divorce që nga hyrja në fuqi e ligjit, Lia Rizzone Favacchio kishte kërkuar ndarjen nga i shoqi dhe kishte “guxuar” të rindërtonte jetën larg tij, së bashku me dy vajzat e saj të vogla.

Pas 49 vitesh, vajza e vogël që e pa skenën e rëndë ka treguar se gjithmonë i rishfaqen foto të kohës me të, mënyra e të qeshurit, eleganca, bukuria e saj.

“Isha me ime më atë ditë.

Ndaluam për t’u furnizuar me benzinë ​​në sheshin e qytetit dhe isha pranë saj kur u shfaq im atë.

Ai mbante në duar armën dhe më pa, por kjo nuk e ndaloi.

Ai u afrua dhe qëlloi mbi të dy herë: një herë në zemër dhe një herë në qafë.

Mami ra. U hodha mbi të, e dëshpëruar.

Zhurma e armës ka ikur, por para syve të mi qëndron ende gjaku.

Më pas, dikush më kapi dhe më tërhoqi zvarrë.

Isha pesë vjeçe dhe ende nuk e dija vërtet se çfarë ishte vdekja, por e kisha të qartë që në momentin e parë që nëna ime nuk do të ishte më”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore