Lajme

Gratë afgane do të përballen me dëme të mëtejshme nëse tërhiqen fondet e donatorëve


Vendet perëndimore kanë rrezikuar të shkaktojnë dëme të mëtejshme për gratë afgane duke tërhequr fondet dhe duke pezulluar operacionet në shenjë proteste kundër politikave talebane që ndikojnë negativisht te gratë.

Kështu ka rezultuar nga një raport i International Crisis Group (ICG).

“Donatorët po largohen nga Afganistani, të neveritur nga kufizimet e talebanëve për liritë themelore të grave. Megjithatë, shkurtimi i ndihmës për të dërguar një mesazh për të drejtat e grave vetëm sa do ta përkeqësojë situatën për të gjithë afganët”, ka thënë Graeme Smith, konsulent i lartë i ICG-së për Afganistanin.

Sipas tij, përgjigjja më parimore ndaj mizogjinisë së talebanëve do të ishte gjetja e mënyrave për të zbutur dëmet e shkaktuara ndaj grave dhe grupeve të tjera të cenueshme.

Disa organizata kryesore bamirëse pezulluan operacionet e tyre në Afganistan në dhjetor, duke u bërë thirrje talebanëve të anulojnë vendimin e tyre për të ndaluar personelin humanitar me gra që punon për agjencitë e ndihmës.

Rreth një e treta e fuqisë punëtore të agjencive janë gra, të cilat shihen si jetike në ofrimin e shërbimeve në një mënyrë të përshtatshme kulturore.

Megjithëse talebanët që atëherë kanë bërë përjashtime për gratë që punojnë në kujdesin shëndetësor ose arsim, gjë që i ka lejuar OJQ-të të rifillojnë disa operacione, kufizimet e kanë bërë të vështirë kryerjen e punës së tyre.

“Ndalimi i punonjëseve humanitare na pengon të arrijmë gjysmën e popullsisë. Për shkak të normave kulturore në vend, punonjësit e ndihmës meshkuj nuk mund të regjistrojnë gratë dhe vajzat për të marrë ndihmë, kjo duhet të bëhet nga gra të tjera”, ka treguar Mélissa Cornet, një këshilltare për Care Afganistan.

Kurse javën e kaluar, Save the Children ka deklaruar se pas ndalimit, gratë kishin raportuar se ishin anashkaluar nga ekipet humanitare nëse nuk shoqëroheshin nga një anëtar mashkull i familjes.

Sipas një sondazhi të punonjësve humanitarë nga UN Women, çështjet më të mëdha ishin aftësia për të vlerësuar nevojat dhe sigurimin e informacionit.

“Në Afganistan, nuk është kulturalisht e pranueshme që burrat të bëjnë vlerësime humanitare me gratë dhe vajzat, kështu që pa staf me gra ne luftojmë për të bërë vlerësime kuptimplota mbi ndikimin te gratë”, ja dalluar Becky Roby, menaxherjanë Afganistan me Këshillin Norvegjez të Refugjatëve.

Roby ka treguar se është i nevojshëm një udhërrëfyes politik që përfshin angazhimin e drejtpërdrejtë me talebanët.

Ndërkohë, raporti i ICG-së ka nxjerrë se vendimet e fuqive perëndimore rrezikonin të dyfishonin ndikimin në një shoqëri ku gratë mbajnë peshën më të madhe, duke marrë racione më të vogla ose duke detyruar vajzat për martesa të hershme.

Ndaj ka drejtuar thirrje për fonde më të mëdha për fushatat humanitare, më shumë punë në infrastrukturë dhe mbështetjen e bujqësisë dhe negocimin e koncesioneve në nivel lokal me zyrtarët talebanë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore