Lajme

Gorilla që s’e pamë


Veton Surroi dhe vilat e ndertuara ilegalisht

Një aksion i madh policie në Kosovë, në komunën e Shtërpcës, ka dhënë si përfundim 10 të arrestuar, shumë para kesh të konfiskuara dhe vila e objekte hotelierie të bllokuara gjithashtu, për shkak se po dyshohet që ato janë të ndërtuara kundërligjshëm dhe për më tepër, për t’u ndërtuar në atë mënyrë, u dhanë shumë para ryshfet.

Profilet e njerëzve që ndërtuan e dhanë payola mbase edhe mund t’iu befasojnë.

Një prej ryshfetçinjve, siç merret vesh, është Veton Surroi.

Surroi në Kosovë e Shqipëri njihet si gazetar, publicist, kohëve të fundit ka thënë se është edhe shkrimtar, por atë pak kush e ka njohur si ndërtues – ndërtues vilash.

Surroi është bashkëpronar në kompaninë “Stella Consullting”, që zyrtarisht merret me ndërtim dhe jo-zyrtarisht, siç u mësua, merret me ryshfet.

Kjo kompani dyshohet të ketë dhënë një ryshfet të majm për t’iu lejuar ndërtimi i vilave në Brezovicë. Sipas prokurorisë, bëhet fjalë për 410 mijë euro para të dhëna nën duar, që më pas Stella të ndërtojë shtëpiza dhe një objekt hotelier.

Ryshfeti i ishte dhënë ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës nga Lista Serbe, Bratisllav Nikoliç. Forma e pagesës, sipas dyshimeve të prokurorisë, ishte bërë në këtë mënyrë: Nikoliç ka pranuar ryshfet një shumë prej 210 mijë eurove për të dhënë leje ndërtimore të vikend-shtëpizave për investitorin e “Stella Consulting”, dhe 200 mijë euro të tjera për dhënien e lejes ndërtimore për objektin hotelier të të njëjtit investitor.

Surroi në këtë kompani ka 30 për qind të aksioneve. Kur para dy vjetësh ishte pyetur, shkurt kishte thënë se është thjesht “partner minor”. Partneri – siç do e quante Surroi – madhor, është një shqiptar nga Shqipëria, Gentjan Sula, i njohur për të tilla veprimtari dhe ndërtime jo ligjore.

Nuk dihet se si u bë që Surroi e Sula të jenë takuar dhe dakordsuar që të kenë një kompani të përbashkët ndërtimi. Në fakt, në Kosovë nuk është ditur se Surroi, ndryshe nga shkrimi i librave, ka afinitet për ndërtime.

Kjo ishte kuptuar vonë, në vitin e kaluar, kur në disa media ishte raportuar për dallavere me lejet ndërtimore në Brezovicë dhe dyshohej se ishte përfshirë edhe kompania “Stella Consulting”.

Surroi ishte pyetur lidhur me raportimet, por kishte deklaruar shkurt se nuk ka shkelje, pasi “Stella Consulting” “ka marrë të gjitha lejet e nevojshme ndërtimore”. Por, ai – normalisht – nuk kishte treguar se përmes çfarë forme u morën ato leje.

Kjo, kuptohet tani nga prokuroria.

Kompania e Surroit dhe Sulës i kanë dhënë ryshfet Nikoliç-it. Ai, me xhepin e mbushur, ka ushtruar ndikimin e tij në vendimmarrjen e personave zyrtarë brenda komunës për të dhënë lejet ndërtimore. Prandaj, policia, përveç Nikoliç-it, ka arrestuar edhe drejtorin e Urbanizimit në Komunën e Shtërpcës, drejtorin e Kadastrit, dy inspektorë të ndërtimit të komunës dhe gjithashtu shefin e Inspektoratit të Komunës së Shtërpcës.

Përkundër shkallës së këtij aksioni, mediatizimit të tij dhe lajmeve të shumta, fare pak është përmendur Surroi, ndonëse kompania e tij është ryshfetdhënësja më e madhe.

Omerta gazetareske në Kosovë nuk është e rrallë. Shumë gazetarë, pronarë e udhëheqës mediash, të lidhur në forma të ndryshme me njëri – tjetrin, tentojnë “ta zhdukin gorillën”, përkundër se gjendet në mes të skenës duke rrahur gjoksin.

Eksperimenti i gazetarit

Një nga librat e tij Veton Surroi e kishte titulluar “Gorillat që s’i pamë”. Ai po përdoret si titull libri eksperimentin e vëmendjes selektive të studiuesve amerikanë Christopher Chabris dhe Daniel Simons, të publikuar në librin e tyre “Gorilla e padukshme”.

Sipas eksperimentit, pjesëmarrësve u kërkohet të numërojnë pasimet e topit të disa lojtarëve derisa në mesin e tyre futet një person i maskuar si gorillë. Diku 50 për qind e shikuesve nuk e shohin fare gorillën, meqë janë fort të fokusuar të përcjellin atë që u është thënë – pra lëvizjet e topit mes lojtarëve dhe numërimin e pasimeve.

Surroi kishte shfrytëzuar këtë eksperiment si metaforë për shkrimet dhe provonte të shpjegonte se si Kosovën po e sundojnë “më të pashkolluarit dhe më të padijshmit”, derisa shkrimet e tij i quante heretike.

Diku në mes të këtyre shkrimeve heretike, ai po blinte leje ndërtimi nga politikanë të Listës Serbe për ta betonizuar një nga vendet e vetme turistike në Kosovë.

Për të qëndruar te eksperimenti i gorillës: Kur shumë njerëz kishin mësuar për të, shikuesit fokusoheshin që patjetër të shihnin gorillën, derisa harronin detaje të tjera periferike në set. Në një vazhdim të eksperimentit, kur pjesëmarrësit kishin vëmendje të plotë te gorilla, ndryshonin shumë elemente të tjera, ndryshohej numri i lojtarëve, ndryshonte ngjyra e prapavijës, por ato ndryshime nuk shiheshin.

Tash, përkthyer në realitetin kosovar, ato lëvizje në prapavijë janë leje të tilla për ndërtime ilegale në Brezovicë, bashkëpunim me ndërtues të dyshimtë e dallavere me politikanë serbë, të cilat nuk shihen dot, sepse është bërë investim tejet i madh që përqendrimi të jetë vetëm te gorilla.

Për ata që nuk e dinë, Veton Surroi, përveç “shkrimtar i shkrimeve heretike” dhe ryshfetdhënës është edhe pjesë e ekipit të Qeverisë së Kosovës për dialogun Kosovë – Serbi.

Diku mes librash e lejesh të paguara për ndërtim, gjenden edhe shkresa me ide për strategjinë që Kosova duhet ta ketë në bisedime me Serbinë. Ai paguhet për ekspertizën e tij. Dikush me imagjinatë të zhvilluar do të mund të thoshte se ndonjë kacidhe nga paratë e këtyre pagesave aktualisht duhet të jetë në policinë e Kosovës, meqë ata ia kanë konfiskuar Nikoliç-it e atij ia kishte dhënë Surroi ryshfet për t’ia lëshuar lejet për ndërtim në Brezovicë.

Këtë do të mund ta sqaronte Surroi më mirë, por ai nuk ka folur ende për këtë rast. Flet për gjithçka në Kosovë, për kufijtë, Asociacionin, Demarkacionin, raportet me Serbinë, dialogun, politikanët, gazetarinë, gazetarët, madje edhe për gorillat, por nuk flet dot për vetën dhe bashkëpunëtorin e tij në ndërtim vilash.

Ai është ligjërues publik në Kosovë, tutolog me ekspertizë në secilën fushë. Por, pasi të sqarojë se cilat duhet të jenë marrëdhëniet mes Kosovës e Shqipërisë, a duhet apo jo të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, çfarë strategjie duhet të ketë Kosova në dialog, do të ishte mirë të sqaronte edhe se si ndodhi që kompania e tij dha 410 mijë euro ryshfet për ndërtime ilegale.

Kush është bashkëpunëtori i Surroit në ndërtime, Gentjan Sula?

Gentian Sula dhe Veton Surroi

Gentian Sula është ndërtues nga Shqipëria i njohur me kompleksin, Kodra e Diellit dhe kompleksin në Dhërmi.

Ai, në të dyja rastet e ndërtimit ka shkelur rregullat e ndërtimit, njëjtë siç ka ndodhur edhe në Brezovicë.

Sula njihet si ndërtues që fillimisht krijon lidhje me pushtetin dhe më pas operon kundërligjshëm me ndërtimet e tij.

Njëjtë si në Shqipëri, edhe në Kosovë ai dyshohet për ndërtime të kundërligjshme.

Për të arritur deri te mundësitë për ndërtim, përmes Veton Surroit, ka krijuar lidhje me pushtetarët në Komunën e Shtërpcës.

Por, shkeljet Sulës nuk kufizohen në hapësirat shqiptare.

Një rast eklatant e ka edhe në Londër të Britanisë së Madhe.

Ndërtimet e Sulës atje, zyra e arkitektit të qytetit të Londrës, i kishte rrënuar të gjitha, duke ia kthyer në pikën zero, sepse kishte shkelur rregullat dhe planimetrinë e ndërtimit.

Inspektorët e kishin detyruar Sulën të kryejë të gjitha shpenzimet, thuhet në një raport inspektimi të Zyrës së Arkitektit të Qytetit të Londrës.

Pasi kishte rrënuar vetë të gjithë pjesën e ndërtuar pa leje, shteti e kishte detyruar ta ribëjë ndërtimin sipas planit.

Sula, me mentalitetin e tij dhe në krah me pushtetin e korruptuar ka vazhduar të ndërtojë kundërligjshëm dhe tani edhe Kurora e Tiranës po shkatërrohet pikërisht nga ky ndërtues, njëjtë siç ndërtimet e tij dhe të bashkëpunëtorëve i kanë dhënë Brezovicës një pamje të betont në dëm ambientin.

Sula dhe ndërtues si ai kanë masakruar malin përreth dhe hapësirën e qendrës së skijimit, që dikur ishte një nga të paktat atraksione turistike në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore