Lajme

Gorbachev, ose lideri i fundit i Bashkimit (anti)Sovjetik


Mikhail Gorbachev, Presidenti i fundit i Bashkimit Sovjetik

Mikhail Gorbachev, kreu i fundit i Bashkimit Sovietik (BS), feston sot ditëlindjen e tij të 90-ë. Ai është udhëheqësi më jetëgjatë sovjetik. Në fakt, është i vetmi ende në jetë.

Gorbachev-i njihet më së shumti në histori për reformimin e BS-së, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik. Dy, janë termat që kanë shkruar historinë politike të Gorbit: Perestroika dhe Glasnot.

E para, lidhet me reformimin tërësor të BS-së në qasje ideologjike. E dyta, me lirinë e fjalës dhe shtypit. Kjo e fundit, mungonte prej vitesh nën censurat e të ashtuquajturit komunizëm marksist-leninist.

Për shkak të figurës së tij shumë paqësore dhe mentalitetit qytetar, për qytetarët, reformat e tija nuk do të arrinin ta stabilizonin BS-në.

Mes konfliktit ushtarak, presioneve diplomatike, fatkeqësive bërthamore dhe arrestit të shtëpisë, Gorbachev-i do të stepej nga posti i tij presidencial më 29 dhjetor 1991. Dy ditë më pas, Bashkimi Sovjetik rreshti së ekzistuari.

Si u krijua imazhi i Gorbachev-it?

Mikhail Gorbachev do të fillonte të ngjiste shpejt shkallët e karrierës pas përfundimit të studimeve në Drejtësi. Do të merrte fillimisht poste rajonale në rajonin e Stavropol-it, aty ku ai ka lindur.

Ai u bë në vitet 70’ mik me figura të larta, si Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste në Rusi, Leonid Brezhnev, apo kreu i Komitetit për Sigurinë Shtetërore (KGB), Yuri Andropov.

Në vitin 1985, me vdekjen e pjesës më të madhe të emrave të lartë në BS, Gorbachev mori postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Andrei Gromyo, ishte presidenti de jure në ato vite. Por, de facto, vendimet merreshin nga Gobarchev-i.

Ngjarja e parë madhore me efekte globale që do të shënjonte jetën politike të tij, ishte shpërthimi i vitit 1986, në centralin bërthamor të Chernobyl-it.

Ndër gënjeshtrat e shumta që u thanë nga drejtuesit rajonalë, nga autoritete lokale mbi shpërthimin, ndërhyrja e vetë Gorbit ishte vendimtare për të shmangur një katastrofë të vërtetë humanitare – pavarësisht se ajo gjithsesi nuk u shmang në pjesën më të madhe.

Ardhja e tij në pushtet ishte në kohëra kritike për ekonominë ruse. Për ideologjinë sovjetike gjithashtu!

Udhëheqja e Gorbachev-it do të mirëpritej fillimisht dhe do të shfaqte shenja optimizmi. Me shpresën ambicioze të krijimit të një shoqërie më të hapur (Glasnot) dhe me një ekonomi të bazuar për nga tregu, kapitalizmi, demokracia e investimit (perestroika), do të shpëtonin vendin siberik nga rënia tërësore.

Hapa do të kishte edhe mbi marrëveshje me rivalin e përjetshëm, SHBA-në, për të krijuar marrëveshje në aspektin e fuqisë bërthamore.

Lufta afgane ishte gjithashtu pjesë e traktateve.

Por, me fillimin e ikjes së vendeve “satelite” dhe ndarjen e tyre nga BS-ja, shpresat ishin të pakta. Presioni brenda Kremlinit u rrit, deri në çastin kur Gorbachev u largua nga roli i tij drejtues. Bashkimi Sovjetik, kishte rënë!

Një trashëgimi e dyzuar

Që pas lënies së detyrave, Gorbachev-i është përfshirë në disa çështje politike dhe humanitare.

Ai së pari është një ndër zërat më të fortë për avokimin e një “denuklarizimi bërthamor”. Pikëpamjet e tija vazhdojnë të mbeten ato, të një Rusie në bashkëpunim konstant me Perëndimin.

Thirrjet e tij të fundit i adresohen presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij amerikan, Joe Biden, për të ngrohur lidhjen e dy vendeve të ftohta me njëra-tjetrën. Marrëveshjet bërthamore kanë qenë sërish në vëmendje të ish-presidentit sovjetik.

“Marrëdhëniet e tanishme SHBA-Rusi mbeten një shqetësim i madh”, do të deklaronte ai në janar për agjencinë e lajmeve ruse TASS.

Nga ana tjetër, një qasje radikalisht e kundërt e tij vjen për çështjen e Krimesë. Ai e mbështeti plotësisht aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Për këtë fakt madje, Ukraina, në vitin 2016, vendosi një sanksion nga Gorbachev-it, për të mos e lejuar atë të futej në ish-republikën sovjetike pesë vitet e ardhshme. Ky afat, përmbyllet pas dy muajsh, në maj 2021.

Trashëgimi e dyzuar, sepse Perëndimi e sheh si kampion të demokracisë. Në Rusi nga ana tjetër, figura e Gorbachev-it vazhdon të kritikohet vazhdimisht. Shpesh, duke u fajësuar për rënien e BS-së.

Vendi i Gorbit në histori, mbetet në një udhëkryq ideologjik lindor-perëndimor.

“Me të drejtë ju i përkisni rangut të më të ndriturve, njerëzve më të jashtëzakonshëm të kohës tonë, të cilët patën impakt në kursin e Rusisë moderne dhe historisë botërore”. Këto janë fjalët që Putin-i, i ka shkruar Gorbachev-it, në 90 vjetorin e lindjes së tij.

Në 90 vjetorin e liderit të fundit sovjetik. Ose, të të parit anti-sovjetik!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore