Teknologji

Google Search mund të mbyllet në Australi


Google mund të mbyllë motorin e tij të kërkimit në Australi nëse hyn në fuqi një ligj i diskutueshëm i hartuar për të përfituar mediat e lajmeve.

CNN, agjensi lajmesh, shkruan se Mei Silva, drejtoresha e menaxhimit të Google Australia, ka thënë në një seancë dëgjimore të senatit në Cambera se projektligji “mbetet i pazbatueshëm” dhe do të “thyejë” mënyrën se si miliona përdorues kërkojnë përmbajtje në internet.

“Nëse ky version i Kodit do të bëhet ligj, nuk do të na jepte zgjidhje tjetër përveçse të ndalojmë vënien në dispozicion të Google Search në Australi”, ka thënë Silva duke shtuar se “ky do të ishte një rezultat i keq jo vetëm për Google, por edhe për njerëzit në Australi, larminë e medias dhe bizneset e vogla që përdorin Google Search”.

Ajo ka shpjeguar se vënia në jetë e projektligjit do të shkonte përkundër modelit të biznesit që drejton Google i cili përqëndrohet mbi aftësinë për t’u lidhur lirshëm mes faqeve të internetit.

Google dhe Facebook, dallon CNN, kanë diskutuar me botuesit për vite me radhë se si t’i paraqesin përmbajtjet e tyre, mirëpo kompanitë mediatike i kanë qëndruar idesë se duhet të paguhen për përmbajtjen që do të servirin.

CNN, identifikon se projektligji i ri do të lejojë disa media të caktuara të bëjnë “pazar” me Google dhe Facebook individualisht ose kolektivisht. Sipas Komisionit Australian të Konsumatorit dhe Konkurrencës, autoriteti i cili propozoi projektligjin, mediat kalojnë në avantazh nëse palët nuk mund të arrijnë në një matrëveshje brenda tre muajsh.

Scott Morrison, kryeministër i Australisë,  ka reaguar lidhur me deklaratën e Google për te bllokuar Google Search.

“Më lejoni të jem i qartë. Australia vendos rregullat e veta për gjërat që ju bëni në Australi. Kështu funksionojnë gjërat këtu. Ata që dëshirojnë të punojnë këtu në Australi, janë të mirëpritur”, ka thënë kryeministri australian duke shtuar se “ne muk i përgjigjemi kërcënimeve”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore