Aplikacione

Google Play, përgjysmim i tarifave për zhvilluesit e aplikacioneve


Përballjet ligjore e kanë detyruar kompaninë teknologjike, Google, të përgjysmojë tarifën që merr nga zhvilluesit e aplikacionit Android në dyqanin e aplikacioneve, Google Play.

Agjencia e lajmeve, The Guardian, zbulon se në një postim në blog kompania ka njoftuar se lëvizja do të hyjë në fuqi në muajin korrik.

Shuma e marrë nga blerjet e aplikacioneve ose nga blerjet brenda aplikacioneve në dyqanin në dispozicion, Google Play, do të përgjysmohen nga 30% në 15% për të ardhurat e para që fitojnë zhvilluesit çdo vit prej një milion dollarësh.

Sameer Samat, nënkryetari i Google-it për menaxhimin e produkteve, ka shpjeguar se në terma të tjerë, ulja e tarifave do të thotë se 99% e zhvilluesve në mbarë botën do të vërejnë një ulje prej 50% të tarifave.

“Këto janë fonde që mund të ndihmojnë zhvilluesit të rriten në një fazë kritike të rritjes së tyre duke punësuar më shumë inxhinierë, duke shtuar stafin e tyre të marketingut, duke rritur kapacitetin e server-it dhe akoma më shumë”, ka thënë ai.

Samat ka shtuar se “Android dhe Google Play kanë dëgjuar gjithmonë partnerët zhvillues në të gjithë botën dhe vazhdojmë të marrim parasysh kontributin e tyre teksa ndërtojmë dhe drejtojmë ekosistemin”.

Në janar, Apple-i ndërmori një ulje të ngjashme të tarifave për dyqanin e saj të aplikacioneve, Apple App. Kjo pasi të dyja kompanitë po përballen me veprimin ligjor të Epic Games, i cili është krijuesi i Fortnite.

The Guardian sqaron se pasi Fortnite u nis si nga Apple App Store edhe nga Google Play Store në muajin gusht të vitit të kaluar, po anashkaloheshin metodat e pagesave në aplikacionin e kompanive në favor të faturimit të drejtpërdrejtë të tyre që parandaloi Apple-in dhe Google-in të merrnin një pjesë.

Lidhur me njoftimin, një zëdhënëse e Epic Games ka thënë se ulja mund të lehtësojë një pjesë të vogël të barrës financiare që zhvilluesit kanë marrë mbi supe, por që nuk adreson çështjen me themel.

“Pavarësisht nëse është 15% apo 30%, për aplikacionet e marra përmes dyqanit të aplikacioneve, Google Play, zhvilluesit janë të detyruar të përdorin shërbimet e pagesave brenda aplikacionit të Google-it. Android-i duhet të jetë plotësisht i hapur për konkurrencë, në një fushë loje të mirëfilltë midis kompanive të platformës, krijuesve dhe ofruesve të shërbimeve”, ka shtuar zëdhënësja.

Sipas saj, konkurrenca në procesin e pagesave dhe shpërndarjen e aplikacioneve është rruga e vetme drejt një tregu të drejtë të aplikacioneve.

Pretendimi i Epic Games ka të bëjë me dëmtimin e zhvilluesve të aplikacioneve nga Google-i dhe Apple-i. Madje kanë dëmtuar edhe konsumatorët në Australi duke kufizuar konkurrencën duke parandaluar zgjedhjen ndaj shpërndarjes së aplikacioneve në iPhone dhe në pajisjet Android dhe përmes pagesave brenda aplikacionit.

Mirëpo, Google-i nuk ka komentuar për këtë çështje.

Nga ana tjetër, Apple-i në muajin gusht ka deklaruar se veprimet e Epic Games në përpjekjen për të anashkaluar sistemin e blerjes brenda aplikacionit shkelin udhëzimet e App Store-it, të cilat janë krijuar për të mbrojtur klientin.

Që nga ajo kohë, Epic Games ka nisur veprime ligjore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Mbretëri të Bashkuar dhe në Australi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore