Aplikacione

Google Maps drejt rrugëve me emetim të ulët karboni


Kompania teknologjike, Google, do të lancojë veçorinë e re të aplikacionit të hartave, Google Maps, e cila do të drejtojë shoferët e makinave drejt rrugëve që llogariten të jenë si më miqësoret me mjedisin në bazë të listës së faktorëve.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se kompania do të nisë karakteristikën e re për të mundësuar udhëtimet drejt rrugëve që gjenerojnë nivelin më të ulët të karbonit duke përdorur kryesisht të dhënat e trafikut dhe pjerrësinë e rrugëve.

Pritet që plani i ri të fillojë të zbatohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më tej do të zgjerohet në të gjitha rrugët e globit.

Kjo lëvizje e Google-it vjen në vazhdën e përpjekjeve të kompanisë për të dhënë kontributin e saj në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

BBC zbulon se rruga e paracaktuar në aplikacionin Google Maps do të jetë në opsionin “miqësor me mjedisin”. Në rast të kundërt, përdoruesit mund të zgjedhin të heqin dorë prej tij.

Nga ana tjetër, kur rrugët alternative do të rezultojnë dukshëm më të shpejta, Google-i do të ofrojë zgjedhje dhe do t’i lejojë përdoruesit të krahasojnë emetimet e vlerësuara.

“Ajo që po shohim është për rreth gjysmën e rrugëve, ne jemi në gjendje të gjejmë një mundësi më miqësore me mjedisin me një shkëmbim me kosto minimale dhe pa harxhuar kohë”, ka thënë drejtori i produktit në Google, Russell Dicker.

Të dhënat që po përdor kompania lidhur me karakteristikën e re janë të bazuara te emetimet e nxjerra nga testime të llojeve të ndryshme të makinave dhe rrugëve duke u mbështetur në njohuri nga laboratori Kombëtar i Energjisë së Rinovueshme të Qeverisë së SHBA-së.

Për sa i përket faktorëve të të dhënave rrugore të marra nga veturat e kompanisë, Street View, nëpër shpate dhe pjerrësi, do të shfaqen së bashku me pamje ajrore dhe satelitore.

Lajmërimi i shoferëve për të udhëtuar nëpër zona me emetime të ulëta të karbonit pritet të nisë në muajin qershor. Pjesë e tyre janë Gjermania, Franca, Holanda, Spanja dhe Britania e Madhe.

“Për të mbështetur këto përpjekje, ne jemi duke punuar me alarme për të ndihmuar drejtuesit e automjeteve të kuptojnë më mirë se kur do të kalojnë në një nga këto zona”, ka shkruar Google në një postim në blog.

Gjithashtu përdoruesit e Google Maps-it do të jenë në gjendje të krahasojnë makinën, biçikletën, transportin publik dhe opsione të tjera të udhëtimit nga njëri vend në tjetrin duke ndihmuar në ndërtimin e seksioneve të ndryshme të tiparit të ri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore