Aplikacione

Google-i shënjestron gratë amerikane me të ardhura të ulëta me reklama për qendrat kundër abortit


Gratë me të ardhura të ulëta kanë më shumë gjasa se ato më të pasura të jenë në shënjestër të reklamave të Google-it që promovojnë qendrat e shtatzënisë në krizë.

Të paktën kështu kanë gjetur studiuesit në Projektin e Transparencës Teknike.

Hulumtimi bazohet në gjetjet e mëparshme që detajojnë se si Google-i i drejton përdoruesit që kërkojnë shërbime të abortit në të ashtuquajturat qendra të shtatzënisë në krizë – organizata që paraqiten si klinika aborti në një përpjekje për të larguar gratë nga aksesi i kujdesit për abortin.

Studiuesit krijuan llogari testimi në tre qytete – Atlanta, Miami dhe Phoenix, Arizona – për gratë e tre grupeve të ndryshme të të ardhurave të sugjeruara nga Google-i.

Më pas ata futën terma kërkimi si “klinika e abortit pranë meje” dhe “unë dua të kryej abort”.

Në Phoenix, 56 për qind e reklamave të kërkimit të shfaqura në llogaritë e testimit që përfaqësonin gra me të ardhura të ulëta deri në mesatare ishin për qendrat e krizave.

Kjo, krahasuar me 41 për qind të atyre që u shërbyen llogarive testuese me të ardhura mesatarisht të larta dhe 7 për qind për llogari me të ardhura të larta.

Në Atlanta, 42 për qind e reklamave të shfaqura për grupin me të ardhura më të ulëta ishin për qendrat e shtatzënisë në krizë,

krahasuar me 18 për qind për gratë me të ardhura mesatare dhe 29 për qind për gratë me të ardhura të larta.

Në Arizona dhe Florida, aborti është i ndaluar pas 15 javësh të shtatzënisë. Në Georgia, është e ndaluar pas gjashtë javësh, në një pikë ku shumë gra nuk e dinë se janë shtatzënë.

Dhe gratë me të ardhura më të ulëta janë grupi që ka më pak gjasa të jetë në gjendje të udhëtojë për kujdesin e abortit, sepse udhëtimi mund të kushtojë mijëra dollarë në punë, transport, kujdes për fëmijë dhe tarifa akomodimi.

Ndaj dhe ekspertët mendojnë se gratë me të ardhura më të ulëta janë në shënjestër dhe janë ato që do të vuajnë më shumë nga këto politika.

Sakaq, rezultatet nuk ishin të njëjta në të gjitha qytetet.

Në Miami, studiuesit panë rezultatin e kundërt: gratë me të ardhura të larta kishin më shumë gjasa të merrnin reklama nga qendrat e shtatzënisë në krizë sesa gratë me të ardhura më të ulëta.

Ata spekulojnë se qendrat e shtatzënisë në krizë mund të synojnë më aktivisht gratë me të ardhura të ulëta në shtete më kufizuese.

Teksa qendrat e shtatzënisë në krizë u ofrojnë grave shtatzëna burime të tilla si pelenat dhe testimin e shtatzënisë, ato janë njohur gjithashtu se përdorin një sërë taktikash të dyshimta për të bindur gratë që kërkojnë një abort për të mbajtur shtatzëninë e tyre.

Ato përfshijnë paraqitjen si klinika aborti në internet, megjithëse nuk ofrojnë kujdes për abortin, refuzimin e testeve të shtatzënisë për gratë që thonë se synojnë të bëjnë një abort dhe reklamojnë kërkime të diskutueshme gjerësisht në lidhje me kujdesin ndaj abortit.

Këto qendra, të cilat janë kryesisht të parregulluara pavarësisht se ofrojnë shërbime mjekësore, dihet se synojnë gratë me të ardhura të ulëta pikërisht sepse e kanë më të vështirë të udhëtojnë jashtë shtetit për kujdesin e abortit.

Ndërkohë, ndaj Google-it është ushtruar presion në mënyrë të përsëritur për të bërë ndryshime në motorin e tij të kërkimit për të zvogëluar këto probleme.

Dhe kompania u është përgjigjur duke u zotuar të etiketojë qartë këto objekte në të ardhmen.

Por studiuesit në studim zbuluan gjithashtu një numër reklamash që ende u shërbehen përdoruesve duke sugjeruar qendra që ofrojnë kujdes për abortin kur nuk e bëjnë këtë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore