Pajisje

Google-i ka paguar në mënyrë të paligjshme mijëra punonjës në dhjetëra vende


Kompania teknologjike, Google, ka paguar në mënyrë të paligjshme mijëra punonjës të përkohshëm në dhjetëra vende dhe ka vonuar korrigjimin e normave të pagave për më shumë se dy vjet. Kjo teksa u përpoq të fshihte problemin.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se drejtuesit e firmës kanë qenë të vetëdijshëm që të paktën në maj të vitit 2019, kompania nuk po respektonte ligjet vendore në Mbretërinë e Bashkuar, Evropë dhe Azi.

Ligje këto që detyrojnë punonjësit e përkohshëm të paguhen me tarifa të barabarta me punonjësit me orar të plotë që kryejnë punë të ngjashme.

Mirëpo, në vend që të korrigjonte gabimet, Google-i u zvarrit për më shumë se dy vjet, duke u shqetësuar për rritjen e kostos për departamentet që mbështeten shumë tek punëtorët e përkohshëm, ekspozimin e mundshëm ndaj pretendimeve ligjore dhe frikën nga vëmendja negative e shtypit.

Në një moment, drejtuesit ndoqën një plan për të hyrë në përputhje me koston më të vogël të mundshme, pavarësisht se pranuan se një lëvizje e tillë nuk ishte “rezultati i saktë nga perspektiva e pajtueshmërisë” dhe mund të vendoste kompanitë e personelit me të cilat kontraktohet në një pozitë të vështirë, ligjërisht dhe etnikisht”.

Pas këtij zbulimi të “The Guardian”, Google-i i ka pranuar dështimet dhe ka thënë se do të kryente një hetim pasi të kontaktohej nga agjencia.

“Teksa ekipi nuk ka rritur standardet e normës krahasuese për disa vjet, normat aktuale të pagave për stafin e përkohshëm janë rritur shumë herë në atë periudhë”, ka thënë Spyro Karetsos, zyrtari kryesor i pajtueshmërisë së Google-it, në një deklaratë.

Ai ka dalluar se shumica e personelit të përkohshëm paguhen shumë më tepër sesa tarifat krahasuese.

“Sidoqoftë, është e qartë se ky proces nuk është trajtuar në përputhje me standardet e larta për të cilat ne mbahemi si kompani. Ne po bëjmë një rishikim të plotë dhe jemi të përkushtuar për të identifikuar dhe adresuar çdo mospërputhje të pagesës që ekipi nuk i ka adresuar tashmë”, ka treguar Karetsos.

Gjithashtu ka shtuar se “do të bëjmë një rishikim të praktikave tona të pajtueshmërisë në këtë fushë. Me pak fjalë, ne do të kuptojmë se çfarë nuk shkoi këtu, pse ndodhi dhe do ta rregullojmë atë”.

Ndërkaq, një sinjalizues i përfaqësuar nga Whistleblower Aid ka paraqitur një ankesë në lidhje me shkeljet e pretenduara pranë Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimit (SEC) të SHBA-ve.

Edhe pse ligji ndërkombëtar i punës nuk është nën kompetencën e SEC, ankesa pretendon se dështimi i Google-it për të zbuluar detyrimet e barazisë së pagës, të cilat vlerëson se mund të arrijnë në 100 milionë dollarë, përbëjnë anomali materiale në raportet e tij tremujore financiare, një shkelje e ligjit amerikan të letrave me vlerë.

“Zbulimi e bën të qartë se Google-i nuk ka thyer vetëm ligjet e punës në të gjithë botën, por ka mashtruar investitorët në lidhje me detyrimet e mëdha ligjore dhe financiare”, ka thënë John Tye, themeluesi dhe shefi i zbulimit të Whistleblower Aid.

Ai ka vijuar se “zbulimi i ligjshëm, anonim i sinjalizuesit është një hap kritik drejt sigurimit që Google-i të mbajë përgjegjësi. Ne i bëjmë thirrje SEC-ut të ndërmarrë një veprim zbatues kundër tij dhe të mbrojë të drejtat e investitorëve për të marrë informacion të plotë dhe të saktë”.

“The Guardian” sqaron se kjo çështje buron nga mbështetja e madhe e Google-it për “fuqinë e zgjeruar punëtore”, si dhe nga bollëku i ligjeve lokale që rregullojnë sesi punëtorët e tillë duhet të trajtohen në dhjetëra vende ku operon firma.

Google-i zotëron një fuqi punëtore prej më shumë se 100 mijë punonjësish, shitës dhe kontraktues, të cilët nuk janë të punësuar drejtpërdrejt nga kompania, por që kryejnë punë në emër të saj, në detyra që fillojnë nga shërbimi i ushqimit dhe siguria deri te kodimi dhe analiza e të dhënave.

Dhe shumica dërrmuese e këtyre punonjësve janë “shitës”, të cilët punojnë në projekte afatgjata që menaxhohen tërësisht nga kompania shitëse, siç është moderimi i përmbajtjes, dhe kanë pak ndërveprim me punonjësit e Google-it.

Departamentet që mbështeten më shumë te punëtorët e përkohshëm përfshijnë rekrutimin, marketingun dhe Waymo, filiali i automjeteve autonome. Globalisht, Google-i shpenzon rreth 800 milionë dollarë në vit për punonjës të përkohshëm.

Kjo është e zakonshmr në industrinë e teknologjisë, por mbështetja e Google-it në një “fuqi punëtore hije” që tejkalon bazën e saj të drejtpërdrejtë të punonjësve ka tërhequr prej kohësh kritika nga punonjësit e vetë kompanisë, si dhe politikanët dhe sindikatat e punës.

Mbi 30 vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, shtetet anëtare të BE-së, India dhe Tajvani, kanë miratuar ligje për “barazi pagash” ose “trajtim të barabartë” që kërkojnë që punëtorët e përkohshëm të trajtohen në mënyrë të barabartë me punonjësit me orar të plotë (FTE), të cilët kryejnë të njëjtën punë.

Ndërkohë, SHBA-të, ku bazohet shumica e tyre në Google, nuk ka ndonjë mbrojtje të tillë.

Lidhur me këto ligje, ato kërkojnë trajtim ekuivalent kur bëhet fjalë për pagesën, orët, pushimet dhe përfitimet e caktuara. Në Mbretërinë e Bashkuar, barazia e pagës kërkohet pas një periudhe kualifikuese 12-javore, ndërsa në Irlandë ajo është e mandatuar që nga dita e parë e punës.

Në rastin e Google-it, agjencia e personelit dhe punëdhënësi ndajnë përgjegjësinë për të siguruar trajtim të barabartë, por është përgjegjësi e punëdhënësit që t’i sigurojë agjencisë të dhëna të sakta në lidhje me normat e pagesës.

Shkalla e problemit

Duke pasur parasysh shkallën e lartë të qarkullimit të punëtorëve të përkohshëm, numri i punëtorëve të prekur nga dështimi i Google-it mund të jetë në dhjetëra mijëra.

Referuar një dokumenti të parë nga “The Guardian”, që nga 16 shkurti i vitit 2021, firma kishte 1 mijë e 30 punonjës të përkohshëm në vendet me ligje për barazinë e pagave, numrat më të mëdhenj në MB (343), Indi (222), Irlandë (207) dhe Gjermani (59).

Dokumenti, një kontroll i vendeve mbi ligjet e barazisë së pagesave të kryera për Google-in nga Deloitte, nxori në pah një problem tjetër me pajtueshmërinë ligjore të kompanisë. Deloitte raportoi se ligjet e barazisë së pagave ishin miratuar në 16 vende ku firma po punësonte më shumë se 350 punonjës të përkohshëm pa ofruar norma të barabarta trajtimi, përfshirë Argjentinën, Australinë, Brazilin, Kanadanë, Izraelin, Zvicrën dhe Tajvanin.

Dhe se pagat jo të barabarta të Google-it ndaj punonjësve të përkohshëm janë të konsiderueshme. Sipas një memorandumi të brendshëm, ata u paguan midis 12 për qind dhe 50 për qind më pak se sa duhet të ishin paguar që nga shkurti i vitit 2021.

Mirëpo, kjo vonesë e kompanisë në adresimin e tarifave mund të dëmtojë aftësinë e ish-punonjësve të përkohshëm për të kërkuar dëmshpërblim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore