Pajisje

Google-i dhe Microsoft-i goditen nga ngadalësimi i shitjeve


Shitjet e kompanive teknologjike Alphabet dhe Microsoft janë ngadalësuar ndjeshëm.

Kjo atmosferë ka shtuar frikën për një rënie të mundshme ekonomike.

Alphabet-i që zotëron Google-in dhe YouTube-in ka deklaruar se shitjet u rritën vetëm gjashtë për qind në tre muajt e fundit deri në shtator, në 69 miliardë dollarë.

Shifrat shënojnë rritjen më të dobët tremujore të firmës amerikane në gati një dekadë përtej fillimit të pandemisë.

Kurse Microsoft-i ka deklaruar se kërkesa për kompjuterët e saj dhe teknologji të tjera janë dobësuar.

Shitjet e kompanisë teknologjike u rritën me 11 për qind në 50.1 miliardë dollarë, duke shënuar rritjen më të ngadaltë të të ardhurave në pesë vjet.

Në mbarë botën, shtimi i konsumatorëve dhe rritja e bizneseve  po pësojnë rënie teksa çmimet rriten dhe po ashtu normat e interesit, duke nxitur frikën e një recesioni global.

Gjithashtu dollari i fortë amerikan ka dëmtuar shumëkombëshe amerikane, duke e bërë më të shtrenjtë shitjen e produkteve jashtë vendit.

Në Alphabet, fitimet ranë gati 30 për qind në 13.9 miliardë dollarë në tremujor, pasi të ardhurat nga reklamat në YouTube ranë për herë të parë që kur firma filloi t’i raportonte ato publikisht.

Sakaq, rritja e shitjeve në firmë është ngadalësuar për pesë tremujorë radhazi.

Shefi Sundar Pichai ka thënë se Alphabet-i “po i përgjigjet mjedisit ekonomik”.

“Kur Google-i pengohet, është një ogur i keq për reklamat digjitale në përgjithësi”, ka thënë Evelyn Mitchell, analistja kryesore në Insider Intelligence.

Ajo ka vënë në dukje se faqja kryesore e Google-it në të kaluarën ka qenë më elastike ndaj rënies së shpenzimeve të reklamave sesa faqet e mediave sociale si Facebook-u ose Snap-i.

“Ky tremujor zhgënjyes për Google-in nënkupton kohë të vështira përpara nëse kushtet e tregut vazhdojnë të përkeqësohen”, ka theksuar analistja.

Ndërsa Microsoft-i ka njoftuar se pret që kërkesa për kompjuterin e saj dhe teknologjinë e informatikës cloud të vazhdojë të bjerë këtë vit pasi klientët e biznesit reduktohen.

Shitjet në biznesin e saj të lojërave video Xbox gjithashtu kanë rënë.

Gjatë pandemisë, firmat e mëdha të teknologjisë panë rritje të shitjeve pasi konsumatorët dhe punonjësit u mbështetën më shumë në teknologjinë e tyre.

Por fitimet e sektorit duken më të zymta në klimën aktuale.

Shumë kompani të teknologjisë kanë vendosur të pushojnë nga puna stafin, duke përfshirë Netflix dhe Twitter, ose të ngadalësojnë ritmin e rekrutimit, siç është platforma e mediave sociale Snap.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore