Aplikacione

Google-i, 25 milionë euro kundër dezinformimeve


Alphabet-i, kompania që zotëron Google-in, do të kontribuojë 25 milionë euro në Fondin Evropian të Medias dhe Informacionit, i cili sapo është krijuar për të luftuar lajmet e rreme.

Agjencia e lajmeve, Reuters, zbulon se lëvizja e kompanisë teknologjike vjen në një kohë kur kritikët shprehen se këto kompani nuk po bëjnë aq sa duhet për t’u çliruar nga dezinformimet në internet.

Periudha më problematike e qarkullimit të dezinformimeve në internet përfshin harkun kohor që përfshin pandeminë e COVID-19. Pa anashkaluar edhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Disa nga kritikët kanë fajësuar mediat sociale për të mos qenë proaktive në trajtimin e çështjes. Ndërsa rregullatorët kanë treguar që mund të marrin masa përmes kufizimeve të ashpra.

Sipas Reuters, Fondi Evropian i Medias dhe Informacionit është ngritur nga Fondacioni Calouste Gulbenkian dhe Instituti i Universitetit Evropian gjatë javës së kaluar.

Synimi i fondit është të regjistrojë studiues, kontrollues të fakteve, organizata jofitimprurëse dhe organe të tjera të orientuar kah interesit publik, për të ndihmuar në luftën kundër lajmeve të rreme.

“Teksa po lundronte në pasigurinë dhe sfidat e vitit të kaluar, ajo ka provuar se është më e rëndësishme se kurrë që njerëzit të disponojnë informacione të sakta dhe të munden të klasifikojnë faktet nga trillimet”, ka thënë kreu i biznesit dhe operacioneve në Google, Matt Brittin, në një postim në blog.

Kohëzgjatja e fondit pritet të jetë prej pesë vjetësh dhe Observatori Evropian i Medias Digjitale do të jetë organi që do të vlerësojë dhe përzgjedhë projektet që do të miratohen.

Observatori është ngritur që vitin e kaluar dhe përbëhet nga anëtarë që përfshijnë kontrolluesit e fakteve dhe studiuesit akademikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore