Biznes

Goldman Sachs me pronësi të plotë të sipërmarrjes së letrave me vlerë në Kinë


Goldman Sachs, kompani investimesh bankare, ka siguruar miratimin rregullator për të marrë pronësinë e plotë të sipërmarrjes së saj të përbashkët të letrave me vlerë në Kinë.

E përditshmja “Financial Times” tregon se miratimi lejon që banka e investimeve të zgjerohet në vend pasi Pekini lehtëson kufizimet për firmat e huaja në industrinë e vet financiare.

Në një memorandum të brendshëm, banka ka dalluar se drita jeshile nga Komisioni Rregullator i Letrave me Vlerë të Kinës “do të na lejojë të pozicionojmë firmën tonë për rritje dhe sukses afatgjatë në këtë treg nën një njësi të pronësisë së plotë”.

“Kjo shënon fillimin e një kapitulli të ri për biznesin tonë në Kinë, pas një sipërmarrjeje të suksesshme të përbashkët 17-vjeçare”, ka theksuar banka.

“Financial Times” tregon se miratimi vjen teksa shumë grupe financiare amerikane kërkojnë të përfitojnë nga rritja e qasjes në tregun e Kinës.

Kjo, paçka shqetësimeve për klimën politike dhe rregullatore në vend dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike pas shtimit të bllokimit.

Goldman aplikoi për të marrë kontrollin e plotë të sipërmarrjes së përbashkët në dhjetor 2020, pasi Pekini futi rregulla që lejojnë bankat e investimeve të zotërojnë 100 për qind të operacioneve të tyre lokale.

Më parë, ai kontrollonte 51 për qind të biznesit, i cili ishte i pari i këtij lloji në Kinë kur u prezantua në vitin 2004.

Kurse tanimë është banka e dytë amerikane që fiton pronësinë e plotë të njësisë së saj kineze, pas JPMorgan Chase në muajin gusht.

Bankat më të mëdha të Wall Street, shkruan “Financial Times”, nxituan të rrisnin praninë e tyre në Kinë kur vendi filloi të hapte sektorin e tij financiar për investimet e huaja.

Dhe ky ndryshim afatgjatë ka rezultuar pozitiv në dy vitet e fundit, paçka përshkallëzimit të tensioneve gjeopolitike midis Pekinit dhe Washington-it.

Jo më larg se vitin e kaluar, Pekini zbuloi reformat qeveritare që inkurajuan liberalizimin financiar, duke përfshirë zgjerimin e aksesit të huaj në tregjet e së ardhmes.

Kështu, Goldman ka përshkruar një strategji ambicioze të rritjes në Kinë.

Ka nisur me dyfishimin e fuqisë punëtore në 600 dhe zgjerimin e bizneseve të veta të pasurisë dhe menaxhimit të pasurisë, duke përfshirë edhe nisjen e një ndërmarrjeje të përbashkët pasurie me bankën më të madhe të Kinës, ICBC.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore