Përballje

Basketboll: Golden Eagle Ylli shënon fitore të lehtë ndaj Bashkimit në çerekfinalen e dytë të “play-of”-it


Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Bashkimit në Prizren me shifrat 76:89, në çerekfinalen e dytë të “Play-off”-it në Five Star Superligën e Kosovës në basketboll.

Pasi kishte humbur ndeshjen e parë, Ylli e nisi ndeshjen më mirë, duke krijuar epërsi prej 10 pikësh në çerekun e parë, që përfundoi 15:25.

Therandasit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke ngritur epërsinë deri në 20 pikë, 30:50, kurse skuadrat shkuan në pushim me rezultat 34:55.

Ekipi nga Theranda kontrolloi lojën edhe në pjesën e dytë, përkundër tentimeve nga prizrenasit që të bëjnë përmbysjen, por kjo nuk ndodhi edhe Golden Eagle Ylli triumfoi në fund 76:89, duke barazuar serinë çerekfinale në 1:1.

Te Bashkimi u dalluan Musab Mala me 30 pikë e 5 asistime dhe Obinne Oleka me 20 pikë e 15 kërcime.

Kurse te Golden Eagle Ylli më të mirët ishin Valon Bunjaku me 20 pikë, 12 kërcime e 11 asistime, Lg Gill me 27 pikë e 8 kërcime dhe Erjon Kastrati me 19 pikë.

Ndeshjet çerekfinale u barazuan në 1:1 dhe në ndeshjen e ardhshme në Therandë do të vendoset se kush do të kualifikohet në gjysmëfinale, ku i pret Rahoveci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore