Pajisje

Gojek dhe Tokopedia shkrihen në një kompani teknologjike


Në një marrëveshje të madhe, Gojek, firma indoneziane e pagesave dhe Tokopedia, udhëheqësi i tregtisë elektronike, do të bashkohen për të krijuar një kompani teknologjike shumë miliarda dollarëshe me emrin GoTo.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se GoTo-ja do të rezultojë kompania më e madhe teknologjike e mbajtur privatisht në Azinë Juglindore.

Ajo do konsistojë në një njësi të koordinuar, e cila do të shtrihet në blerjet në internet, shërbimet e ndërlidhësve, shpërndarjen e ushqimit apo shërbime të tjera që kanë nevojë për ndërhyrjen e teknologjisë.

Sipas drejtuesve të ndërmarrjes, GoTo-ja planifikon të renditet në Indonezi dhe më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kompanitë kanë treguar gjatë një deklarate të përbashkët se vlerësimi i tyre i kombinuar në të kaluarën bazuar në mbledhjen e fondeve të vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020, llogaritej rreth 18 miliardë dollarë.

Ky bashkim ndërmjet dy kompanive, të cilat janë të mbështetura nga investitorë të mëdhenj global, vjen në mes të një konkurrence në rritje në tregun e mallrave dhe shpërndarjes së ushqimit në Azinë Juglindore.

Ndër këta investitorë të GoTo-së përfshihet Alibaba Group Holding, SoftBank Group Corp, Tencent Holdings apo Google-i.

Në bazë të burimeve për Reuters, aksionerët e Gojek-ut do të zotërojnë 58 për qind të aksioneve të kompanisë me bilancin e mbajtur nga investitorët e partnerit të biznesit, Tokopedia-s.

“Modeli ynë i biznesit tani është edhe më i larmishëm dhe i qëndrueshëm. Ne kemi vëllime të larta të Gojek-ut , transaksione me frekuencë të lartë të lëvizshmërisë të kombinuara me transaksione me vlerë të lartë të tregtisë elektronike të Tokopedia-s, me frekuencë të mesme”, është shprehur Patrick Cao, presidenti i Tokopedia-s.

Për sa i përket detyrës që ai do të mbajë te GoTo-ja, Cao do të jetë president i saj ndërsa shefi ekzekutiv i Gojek-ut, Andre Soelistyo, do të jetë shefi ekzekutiv i kompanisë së re.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore