Bota

Godiva mbyll dyqanet e çokollatave në SHBA


Kompania e çokollatave të luksit, Godiva, ka filluar të shesë ose mbyllë dyqanet e saj në SHBA për shkak të konkurrencës. Të gjitha pikat e Godiva’s, 128 të tilla, të shtrira në gjithë SHBA-në, do të mbyllen brenda marsit.

Përsa i përket Evropës, Lindjes së Mesme dhe Kinës, kompania do t’i mbajë të hapura pikat e saja të shitjes. Nuk është bërë ende e ditur se sa punonjës do të pushohen.

Përpara dy vitesh, Godiva po projektonte një zgjerim të madh, duke zhvilluar edhe biznesin e kafeneve. E para, u hap në New York, në prill të 2019-ës. Dhjetë të tjera ishin planifikuar të hapeshin në New York dhe mbi 400 në gjithë Amerikën. Plani fillestar ishte të hapeshin mbi 2 mijë kafene Godiva në gjithë botën.

Plani gjithsesi, nuk u vu kurrë në zbatim. Shitjet e kompanisë ishin në rënie të lirë. Kjo, edhe përpara fillimit të pandemisë. Shumica e shitjeve bëhen online, nëpërmjet faqes së vetë kompanisë. Kjo e ul nevojën për dyqane fizike.

Pandemia i dha goditjen e fundit një projekti që po çalonte. Me mbylljen e pikave të shitjes në SHBA, Godiva do të përpiqet të kompensojë dëmet e shkaktuara nëpërmjet shitjeve online./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore