Lajme

GM përshpejton planet për makina elektrike


General Motors (GM) po përshpejton planet e saj për të prodhuar automjete elektrike. Kjo është e reja e fundit e prodhuesve të automjeteve, të cilët po angazhohen për të transformuar veten dhe për të përqafuar elektrifikimin e makinave dhe kamionëve.

Presidenti i kompanisë, Mark Reuss, tha të mërkurën se GM, përveç dy fabrikave të baterive që po ndërton tashmë në Ohio dhe Tenesi, kishte në plan të ndërtonte dhe dy fabrika të tjera baterish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kompania ka planifikuar që, në katër vitet e ardhshme, të shpenzojë 35 miliardë dollarë në automjetet elektrike.

Në të njëjtën kohë, G.M njoftoi se pritej që fitimi në gjysmën e parë të vitit të ishte 8.5 deri në 9 miliardë dollarë, një përmirësim i dukshëm krahasuar me një parashikim të mëparshëm.

Shtytja e GM për të rritur shpenzimet për makinat elektrike pason një njoftim nga kompania e automobilave “Ford Motor” që, këtë vit, do të bëjë një version elektrik të kamionit të tij F-150.

Ford kohët e fundit njoftoi se nga viti 2020 deri në 2025 do të shpenzonte 30 miliardë dollarë për makina dhe kamionë elektrikë.

Tanimë kjo kompani ka filluar shitjen e një automjeti elektrik sportiv, Mustang Mach E. Kompania Tesla po udhëheq ndryshimin drejt automjeteve elektrike dhe pritet të shesë rreth 800 mijë makina këtë vit në mbarë botën.

GM këtë vit prezantoi një version të azhurnuar të makinës së saj elektrike, Chevrolet Bolt, e cila, me baterinë të mbushur plot, udhëton në një distancë më të largët sesa versioni i saj i kaluar.

Një kamionçinë me bateri, GMC Hummer, do të dalë në treg në fund të këtij viti dhe supozohet të ndiqet nga më shumë se 20 modele elektrike gjatë katër viteve të ardhshme.

Presidenti nuk bëri me dije se ku kishte planifikuar të lokalizonte dy impiantet shtesë të baterive. Por, mësohet se impiantet e baterive po ndërtohen në një ndërmarrje të përbashkët me prodhuesin korean, LG Chem.

Si pjesë e njoftimit të saj të mërkurën, zëdhënësit e GM thanë se kompania kishte arritur një marrëveshje me kompaninë japoneze të makinave, Honda Motor, për të bërë një SUV elektrik për Honda-n dhe një tjetër për linjën e saj luksoze Acura.

GM ka si qëllim të shesë një milion makina elektrike në vit deri në vitin 2025 dhe, gjithashtu, shpreson të prodhojë vetëm makina elektrike deri në vitin 2035.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore