Lajme

Nis gjyqi ndaj Trump, por a do të shkarkohet?


Është votuar me 56 vota pro dhe 44 kundër, kushtetutshmëria e gjyqit që po zhvillohet ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Pavarësisht këtij fakti, shkarkimi i tij nga Senati, duket shumë i largët.

Gjyqi ndaj Trump-it filloi të martën e 9 shkurtit, në një proces të pa precedent, të dytin brenda një mandati. Pas miratimit të kërkesës së Kongresit, në fund të janarit, votimi në Senat mbi kushtetutshmërinë e procesit, ishte hapi i radhës.

Pala mbrojtëse, mbajti një fjalë emocionuese në prezantimin që bëri, por kjo nuk i ndaloi senatorët të voton pro. Përtej 50 demokratëve që kishin deklaruar votën, kanë qenë edhe gjashtë senatorë republikanë që iu bashkuan nismës.

Gjithsesi, kjo nuk është e mjaftueshme kur të jetë koha e shkarkimit. Duhen dy të tretat e votave në Senat për të hequr nga pozita një president amerikan. Kjo do të thotë se 50 demokratëve, duhet t’iu bashkohen edhe 17 republikanë. Ky fakt, shihet i largët.

Nga burime të brendshme të agjencisë së lajmeve CNN ndërkohë, bëhet me dije se vetë Trump-i, nuk ka qenë i lumtur me mbrojtjen e bërë nga avokatët e tij. Sipas këtyre burimeve, avokatët e ish-presidentit, nuk ishin në gjendje t’i shkonin çështjes në thellësinë e duhur dhe të argumentonin si duhej.

“Pala mbrojtëse kishte vetëm një javë që e kishte marrë çështjen në dorë”, deklaroi burimi pranë CNN. “Kjo performancë ishte e pritshme”.

Duhet kujtuar se Trump-in e la ekipi i tij i vjetër në baltë, vetëm një javë përpara nisjes së procesit. Kjo ishte një goditje e rëndë për –ish presidentin, i cili mbeti pa mbrojtje përballë një Senati të ashpër ndaj tij.

Gjyqi ndaj Trump-it do të vazhdojë me dëgjesat e radhës. Vëmendja kryesore e demokratëve, është të shpalosin dhunën e Capitol-it, gjatë protestave të 6 janarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore