Lajme

Gjyqi i Derek Chauvin, eksperti: Vdekja e Floyd duhet të jetë ‘e papërcaktuar’


Dr. David Fowler

Vdekja e George Floyd duhet të klasifikohet si “e papërcaktuar”. Kështu i tha gjykatës një mjek patolog Dr. David Fowler, i thirrur nga pala mbrojtëse për të dëshmuar.

Dr. Fowler i tha gjykatës në Minnesota se shkaku i vdekjes së Floyd nuk ishte i qartë, pasi përdorimi i drogës, sëmundjet e zemrës dhe faktorë të tjerë sollën vdekjen e Floyd.

Ekipi i mbrojtjes të ish-oficerit Derek Chauvin, po përpiqet të kundërshtojë dëshminë e mëparshme të ekspertëve, se Floyd vdiq nga mungesa e oksigjenit gjatë arrestimit të tij në Minneapolis, Minesota majin e kaluar.

Prokurorët argumentojnë se Floyd vdiq nga asfiksia pasi Chauvin, u filmua i gjunjëzuar në qafën e tij për më shumë se nëntë minuta.

Pamjet e Chauvin, një njeri me ngjyrë të bardhë, duke ndaluar Floyd, një njeri më ngjyrë, të shtrirë në tokë ndërsa ai bërtiste “unë nuk mund të marr frymë”, ka nxitur protesta globale kundër racizmit.

Këtë javë zemërimi që shpërtheu pas vdekjes së Floyd u ringjall nga të shtënat fatale kundrejt një njeriu me ngjyrë, Daunte Wright.

Të shtënat ndodhën të dielën e 11 prillit, në një periferi të Minnesota-s vetëm 10 milje (16 km) larg gjykatës ku po zhvillohej gjyqi i Chauvin-it. Ku kanë nisur protesta të shumta.

Të mërkurën, një prokuror akuzoi Kim Potter, një oficer i bardhë policie i cili qëlloi për vdekje Wright, pasi e ndaloi në rrugë, për vrasje të shkallës së dytë.

Çfarë tha Dr. Fowler?

Dr. Fowler, i cili ishte kryeinspektor mjekësor për shtetin e Maryland-it, deri në vitin 2019, i cili tani është në pension, u thirr për të dëshmuar nga mbrojtja e Chauvin në ditën e 13-të të gjyqit.

Ai u mor në pyetje në lidhje me gjetjet e ekzaminuesit mjekësor të qarkut të Hennepin-it, i cili e cilësoi vdekjen e Floyd, një vrasje.

“Unë do të kthehesha te i papërcaktuar, në këtë rast të veçantë”.

Ai tha, sipas mendimit të tij, shkaku i vdekjes nuk ishte i qartë sepse kishte “kaq shumë mekanizma të ndryshëm potencialë konfliktualë”. Këta faktorë komplikues, tha ai, mund të konsiderohen vrasje në disa raste, dhe aksidentalë në të tjera.

Konsumi i fentanilit dhe metamfetaminës nga Floyd, dhe ekspozimi i tij i mundshëm ndaj helmimit me monoksid karboni nga shkarkimi i makinës së policisë, ishin ndër faktorët që ndërlikuan situatën e tij.

I pyetur për shkakun e vdekjes, Dr. Fowler tha se ai besonte se Floyd pësoi “një arrest kardiak të papritur” ndërsa luftonte me oficerët.

Dr. Fowler tha se problemet shëndetësore të Floyd shkaktuan një rrahje të çrregullt të zemrës së tij, e njohur si aritmi kardiake e papritur.

Si përgjigje, prokurori Jerry Blackwell mori në pyetje Dr. Foëler, duke vënë në dyshim përfundimet dhe besueshmërinë e tij si dëshmitar.

Prokurori Jerry Blackwell
Prokurori Jerry Blackwell

Nën pyetje, Dr. Fowler pranoi se dikush që vdes nga privimi i oksigjenit në fund të fundit vdes nga një aritmi.

“Secili prej nesh në këtë dhomë do të ketë një aritmi fatale në një moment”.

Dr. Fowler gjithashtu ra dakord që Floyd duhej t’i jepej ndihma mjkësore e menjëhershme, kur ai pësoi arrest kardiak. Në mënyrë që t’i shpëtohej jeta.

Chauvin po gjykohet nën akuzën për vrasje të shkallës së dytë të paqëllimshme, vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje pa dashje.

Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Ai përballet me 40 vjet burg nëse dënohet për akuzën më të rëndë – vrasje e shkallës së dytë.

Nëse Chauvin dënohet për ndonjë nga akuzat, ai do të kërkojë që juria prej nëntë grave dhe pesë burrave të kthejë një vendim unanim.

Çfarë ndodhi tjetër në gjykatë?

Më herët të mërkurën, gjyqtari që kryesonte gjyqin mohoi një mocion mbrojtjeje për të liruar Chauvin-in nga të gjitha akuzat.

Avokati i mbrojtjes Eric Nelson tha se prokurorët kishin dështuar të provonin çështjen e tyre kundër Chauvin përtej dyshimit të arsyeshëm.

Mocioni është një kërkesë standarde në gjykimet penale në fund të prezantimit të çështjes së ndjekjes penale dhe u refuzua nga gjykatësi i qarkut të Hennepin-it Peter Cahill.

Morries Hall ishte me Floyd ditën e arrestimit dhe avokati i tij i tha gjyqtarit se klienti i tij nuk mund të “përgjigjej në asnjë pyetje pa e inkriminuar veten”.

Cila është çështja e prokurorisë?

Javën e kaluar gjykata dëgjoi nga disa dëshmitarë ekspertë të cilët dëshmuan se përdorimi i forcës së Chauvin ishte i tepruar.

Ata ishin gjithashtu të palëkundur në bindjen e tyre se Floyd vdiq nga nënshtrimi dhe jo nga përdorimi i drogës ose sëmundjet shëndetësorë.

Shefi i policisë, pasi pa videon e Chauvin-it të gjunjëzuar në qafën e Floyd i tha gjykatës se veprimet e tij shkuan kundër të gjitha trajnimve të policisë.

Kishte gjithashtu dëshmitarë okularë të cilët përshkruan shqetësimet e tyre për Floyd ndërsa shikonin arrestimin që po ndodhte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore