Lajme

Gjyq për sulmet terroriste në Paris


14 të dyshuar për sulmet e ndodhura në Paris në 2015-ën, do të gjykohen nga Prokuroria e Belgjikës. Gjyqi pritet të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Një seri sulmesh në disa pjesë të Parisit, lanë 130 të vdekur, në atë që duket të jetë ngjarja më e dhunshme në Francë që nga Lufta e Dytë Botërore.

18 viktima u regjistruan në barin “La Belle Équipe” pesë të vdekur në një piceri dhe të paktën 12 të vrarë në një bar dhe në një tjetër restorant.

Pjesa tjetër e viktimave i përkasin sallës së koncerteve “Le Bataclan”, i kthyer në një skenë të vërtetë masakre, ku terroristët qëllonin me gjakftohtësi, një e nga një pjesmarrësit në shfaqje.

Personat që do të gjykohen akuzohen për ndihmë ndaj militantëve islamikë.

Dy prej tyre do të gjykohen në mungesë pasi mendohet se kanë vdekur që prej asaj kohe duke luftuar për të ashtuquajturin Shtet Islamik (IS) në Siri.

Të dyshuarit akuzohen për strehimin e sulmuesit të vetëm të mbijetuar, Salah Abdeslam, i arrestuar në 2016-ën.

Shumica prej tyre që do të shkojnë në gjyq besohet të jenë afër Abdeslam-it, dhe sulmuesve që kryen një seri sulmesh në Bruksel, ku vdiqën 32 persona.

Ndërkohë, shteti francez më herët ka njoftuar se Abdeslam do të dalë në gjyq në shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore