Lajme

Gjykimi i Trump-it do të shtyhet


Kërkesa e avokatëve të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për të shtyrë seancën dëgjimore ndaj tij, do të pranohet nga demokratët. Lajmin e ka bërë të ditur zyra e kreut të shumicës në Senat, Chuck Schumer.

Kjo kërkesë nga zyra e Trump-it, ka ardhur pasi data e caktuar përkonte me festën hebree të Sabbath-it.

“Ne e respektojmë kërkesën dhe sigurisht do ta pranojmë”, deklaroi një nga zëdhënësit e shtypit të Schumer-it. “Bisedimet me palët e përfshira për të caktuar datën e procesit, vazhdojnë”.

Sipas burimeve nga The New York Times, kërkesa reale është që, nëse procesi, i cili fillon të martën e 9 shkurtit, nuk mbyllet brenda të premtes së 12 shkurtit, procesi të ndërpritet dhe të rifillojë më pas të dielën.

Kjo gjithsesi, do të kërkojë aprovimin e Senatorëve fillimisht. E diela nuk është ditë pune në SHBA, por gjasat janë që, për shkak të rëndësisë së çështjes, të bëhet një përjashtim.

Në letrën që përfaqësuesi i Trump-it ka dërguar, kërkohet ndjesë për këtë kërkesë, e cila pret në mes procesin. “Kërkojmë ndjesë nëse kjo kërkesë do të shkaktojë probleme për njerëzit e përfshirë në proces. Gjithsesi, këto praktika janë të detyrueshme për ne. Ndaj, nuk kemi zgjedhje tjetër, përveçse të kërkojmë këtë gjë”, shkruhet në letër.

Kjo çështje nuk ndryshon asgjë në procedurat e gjymit të Trump-it. Gjasat më të mëdha, janë që çështja të përfundojë përpara të premtes.

Një gjykim i shpejtë është kërkuar nga demokratët, të cilët shohin me më shumë rëndësi tashmë, shtyrjen përpara të agjendës së presidentit, Joe Biden. Kjo, edhe për shkak se shkarkimi i Trump-it post-presidencë, është shumë i vështirë.

Duhen 17 vota senatorësh republikanë për të kaluar vendimin e Kongresit për shkarkimin e ish-presidentit.

Për shkak të kësaj, vëmendja kryesore në SHBA, po shkon drejt paketës ndihmëse të pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore