Lajme

Gjykatësi në Louisiana bllokon ndalimin e abortit


Në Louisiana, një gjykatës ka ndaluar përkohësisht shtetin nga zbatimi i ligjeve të mbështetura nga republikanët për ndalimin e abortit.

Këto të fundit janë caktuar për të hyrë në fuqi, pasi Gjykata Supreme amerikane i dha fund të drejtës kushtetuese për procedurën javën e kaluar.

Vendi është një nga 13 shtetet që miratuan ligjet për të ndaluar ose kufizuar ashpër abortet, pasi gjykata rrëzoi vendimin e vitit 1973 “Roe vs. Wade” që njihte të drejtën.

Tani, pasojat janë protestat dhe kundërprotestat në rrugët e qyteteve të mëdha.

Në New Orleans, gjykatësi Robin Giarrusso lëshoi ​​një urdhër të përkohshëm ndalimi. Dhe çështja përpara gjykatësit Giarruso u soll nga Hope Medical Group for Women, një nga tri klinikat e abortit në Louisiana.

“Do të bëjmë atë që mundemi. Gjithçka mund të ndalet”, ka thënë Kathaleen Pittman, administratore e Hope Medical Group.

Një gjyqtar në Jutah bllokoi ndalimin thuajse total të abortit që të hynte në fuqi për 14 ditë, për t’i lënë kohë gjykatës për t’u përballur me sfidat ndaj ligjit të shtetit.

Planned Parenthood e kundërshtoi ligjin, i cili përmban përjashtime për përdhunimin, incestin ose shëndetin e nënës, duke thënë se ligji shkel dispozitat e mbrojtjes së barabartë dhe të privatësisë në kushtetutën e shtetit.

Kurse në Florida, një ndalim për abortet pas 15 javësh është gjithashtu objekt i një kërkese për një bllokim të përkohshëm.

Një vendim për këtë pritet një ditë përpara se ligji të jetë planifikuar të hyjë në fuqi.

Në Arizona, Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) dhe një grup për të drejtat e abortit kanë paraqitur një mocion urgjent, duke kërkuar të bllokojnë një ligj të vitit 2021, për të cilin shqetësohen se mund të përdoret për t’i ndaluar të gjitha abortet.

Ndërsa në skenën kombëtare, një grup prej 22 prokurorësh të përgjithshëm kanë lëshuar një deklaratë, duke premtuar se do të “shfrytëzojnë burimet kolektive” për t’i ndihmuar gratë në shtetet ku janë të ndaluara abortet.

Sipas tyre, “kujdesi ndaj abortit është kujdes shëndetësor”.

“Qëndrojmë së bashku, si zyrtarë kryesorë të ligjit të shteteve tona, për të thënë me krenari se nuk do të tërhiqemi në luftën për të mbrojtur të drejtat e shtatzënave në shtetet tona dhe në mbarë vendin”, kanë deklaruar ata.

Po ashtu kanë argumentuar se vendimi i Gjykatës Supreme anulon precedentin ligjor prej gati gjysmë shekulli dhe minon të drejtat e njerëzve në të gjithë SHBA-të.

“Po bashkohemi për të riafirmuar angazhimin tonë për të mbështetur dhe zgjeruar aksesin në kujdesin për abortin në mbarë vendin”, kanë shtuar.

Që nga e shtuna, shërbimet e abortit janë ndalur në të paktën 11 shtete.

Marrë nga “The Guardain”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore