Lajme

Gjykata Supreme bllokon vaksinimin e detyrueshëm në SHBA


Gjykata Supreme në SHBA ka bllokuar vendimin e presidentit Joe Biden, mbi vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve në kompanitë e mëdha. Po ashtu, testimi javor apo mbajtja e maskës me detyrim, nuk do të kërkohen.

Arsyetimi mbi këtë vendim, vjen pasi Gjykata argumenton se nuk e ka administrata Biden autoritetin për të marrë këtë vendim, duke tejkaluar tagrin e saj.

Pavarësisht se nga Shtëpia e Bardhë u tha se kjo masë merret vetëm për të luftuar shifrat në rritje të pandemisë, ajo u rrëzua.

Vetë Biden ka shprehur zhgënjim prej vendimit të marrë.

 

“Po bllokohet logjika e pastër e kërkesave jetëshpëtuese për punonjësit”, tha ai pas publikimit të Supremes. “I ftoj të gjithë krerët e bizneseve të zbatojnë vendimin dhe të mbrojnë punonjësit e tyre”.

Nga ana tjetër, tërësisht i lumtur mbi vendimin, ka dalë ish-presidenti, Donald Trump, i cili mendon se kjo strategji do ta shkatërronte tërësisht ekonominë.

“Jemi krenarë për Gjykatën Supreme. Ata nuk u sprapsën. Jo mandatave”, përgëzoi Trump vendimin.

Sipas vendimit administrativ, punonjësve do t’u kërkohej të vaksinoheshin, ose të testoheshin çdo javë dhe të maskoheshin rregullisht. E gjithë kjo, me shpenzimet e tyre, nëse nuk merrnin një nga dozat e aprovuara kundër virusit.

Rregulli do të hynte në fuqi për vendet e punës me mbi 100 punonjës. Rreth 84 milionë njerëz, do të prekeshin nga ky vendim.

Gjithsesi, me vendimin e marrë tashmë, nuk ka më dyshime. Detyrim për vaksinim që të shkohet në punë, nuk ka në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore