Lajme

Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Salih Mustafës


Salih Mustafa

Gjykata Speciale ia ka vazhduar paraburgimin ish Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, i njohur si Cali.

Paraburgimi atij i është vazhduar nga Trupi Gjykues dhe se Vendimi për mbajtjen në paraburgim është marr më 21 janar.

Me këtë rast, është urdhëruar mbrojtja e Mustafës që të dërgojë parashtresa në lidhje me rishikimin tjetër të paraburgimit deri më 11 mars, 2022.

Dëshmia e dëshmitarit të 11 në rastin Mustafa

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Sopi, në ditën e dytë të dëshmisë së tij më 19 janar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, kishte thënë se në fshatin Zllash ku kanë qëndruar ushtarët e UÇK-së nuk është keqtrajtuar askush.

Dhe se Salih Mustafa nuk ka trajtuar asnjë njëri mizorisht, por përkundrazi është torturuar në mënyrë çnjerëzore nga pushteti serb.

“Nuk e besoj kurrë që i njëjti mund të ushtrojë dhunë ndaj dikujt për asnjë arsye dhe për asnjë rast. Kurrë në jetën time nuk kam dëgjuar diçka të tillë për bashkëluftëtarin Mustafa”, ka thënë Sopi.

Fatmir Sopi dëshmitari i 11 në rastin e Salih Mustafën në Hagë

Sopi duke u përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Mustafës, Julius von Bone, ka thënë se UÇK nuk ka qenë ushtri e rregull dhe për këtë arsye nuk ka pasur uniforma për të gjithë ushtarët dhe se e njëjta është keqpërdorur nga paramilitarët serb.

Fatmir Sopi është dëshmitari i 11-të i cili po dëgjohet në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës.

Aktakuza ndaj Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore