Lajme

Gjykata rumune lë në fuqi vendimin për të zgjatur paraburgimin e Andrew Tate


Një gjykatë rumune e apelit ka lënë në fuqi një vendim të muajit të kaluar për të zgjatur paraburgimin e Andrew Tate.

Kështu, influencuesi dhe mizogjeni i pretenduar do të qëndrojë në paraburgim të paktën deri më 27 shkurt.

Ai, vëllai i tij Tristan dhe dy të dyshuara rumune, njëra ish-oficere policie, u arrestuan në dhjetor me dyshimin për trafikim njerëzor, përdhunim dhe formim të një grupi krimi të organizuar për të shfrytëzuar vajzat.

Të gjithë e kanë mohuar keqbërjen.

Muajin e kaluar, një gjykatës zgjati paraburgimin e tyre deri në fund të shkurtit, duke përmendur “kapacitetin e të pandehurve për të ushtruar kontroll të përhershëm psikologjik mbi viktimat, duke përfshirë përdorimin e akteve të vazhdueshme të dhunës”.

Dhe i njëjti vendim u la në fuqi nga gjykata e apelit në Bukuresht pas një seance të shkurtër për të cilën vëllezërit Tate mbërritën me një furgon policie të prangosur së bashku, me Andrew që shpalli pafajësinë e tij para gazetarëve në pritje.

Sakaq, asnjëri nuk është akuzuar ende.

Këshilltarja ligjore e vëllezërve në SHBA, Tina Glandian, ka argumentuar se ndalimi i tyre pa akuzë për më shumë se 30 ditë shkelte të drejtat e tyre ndërkombëtare të njeriut.

Tate, një shtetas amerikano-britanik, u bë i famshëm për vërejtjet e tij mizogjene dhe gjuhën e urrejtjes. Ai ka thënë se gratë janë pjesërisht përgjegjëse për përdhunimin dhe se ato “u përkasin” meshkujve.

Pasi grumbulloi miliona ndjekës në mediat sociale, duke shkaktuar frikën se videot e tij po radikalizonin të rinjtë, ai u ndalua përfundimisht nga të gjitha platformat kryesore.

Në nëntor ai u rivendos në Twitter – ku llogaria e tij ka 4.7 milionë ndjekës – pas blerjes së kompanisë nga Elon Musk.

Prokurorët nisën hetimet e tyre marsin e kaluar pasi një nga vëllezërit dyshohet se përdhunoi një grua të trafikuar. Vëllezërit akuzohen se rekrutuan viktimat e tyre duke i joshur dhe duke pretenduar në mënyrë të rreme se duan një lidhje romantike.

Viktimat më pas dyshohet se u dërguan në prona jashtë Bukureshtit ku u detyruan “përmes dhunës fizike, frikësimit mendor dhe detyrimit” të prodhonin përmbajtje pornografike për faqet e mediave sociale, duke gjeneruar fitime të mëdha.

Deri më tani, Prokuroria ka identifikuar gjashtë viktima, mes të cilëve edhe të mitur. Dy gratë rumune në paraburgim, Georgiana Naghel dhe Alexandra Luana Radu, dyshohet se kanë vepruar si bashkëpunëtore të vëllezërve.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore